Shtetet e Bashkuara shumë shpejt do të dërgojnë ndihmë shtesë të sigurisë në Tajvan, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
“Shtetet e Bashkuara shumë shpejt do të ofrojnë ndihmë shtesë të sigurisë për Tajvanin përmes autoritetit të tërheqjes presidenciale, që Kongresi ka autorizuar vitin e kaluar”, tha Austin para ligjvënësve.
Autoriteti i tërheqjes presidenciale është një mekanizëm që ofron ndihmë të sigurisë dhe përmes tij janë dërguar edhe armatime për Ukrainën.
Më herët gjatë këtij muaji, Reuters ka raportuar se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, përmes këtij mekanizmi planifikon të dërgojë ndihmë ushtarake në Tajvan në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Tajvani është ishull vetëqeverisës, që Kina pretendon se është pjesë e saj dhe Pekini nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të rimarrë nën kontroll ishullin.
Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve me Tajvanin, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Tajvanit në rast të ndonjë sulmi./REL
Top Channel