Dy armë kallashnikov janë gjetur në një banesë në Vaun e Dejës, të cilat dyshohet se i përkasin një 59-vjeçari.
Si rezultat është shpallur në kërkim 59 vjeçari P.Gj., banues në fshatin Vig, aty ku ndodhet edhe banesa të cilën e kishte në përdorim kohët e fundit. Banesa ishte e pabanuar nga pronari i saj prej 5 vjetësh.
Dy armët, të cilat janë sekuestruar dhe dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, dyshohet se mund të jenë përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje kriminale, bazuar kjo edhe nga bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët sipas policisë.
Në banesë u gjetën gjithashtu edhe 3 krehra armësh, të cilët u sekuestruan.
Sipas policisë vijojnë punën për kapjen e 59-vjeçarit, dhe zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Top Channel