Rusia do blejë më shumë dronë nga Irani/ Franca trajnon pilotët ukrainas

16/05/2023 07:31

Rusia po kërkon të blejë dronë të avancuar nga Irani për t’i përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës.

Kjo, pasi e ka përdorur tashmë shumicën e  400 dronëve të blerë më parë nga teherani, sipas SHBA-së. Për muaj të tërë, Shtetet e Bashkuara kanë treguar se besonin që  Irani po konsideronte t’i shiste qindra raketa balistike Rusisë, por Uashingtoni nuk kishte prova që të tregonin se për këtë ishte arritur një marrëveshje. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, pohoi megjithatë së fundi se Irani vazhdon t’i ofrojë Rusisë dronë ushtarakë.

 “Që nga gushti, Irani i ka ofruar Rusisë më shumë se 400 dronë, kryesisht të llojit Shahed. Rusia ka shpenzuar shumicën e këtyre dronëve për të sulmuar infrastrukturën kritike të Ukrainës. Duke i ofruar Rusisë këta dronë, Irani ka ndihmuar drejtpërdrejt agresionin e Rusisë në Ukrainë. Dronët Shahed që Moska i ka blerë ndërkohë ishin  të mbushur me eksplozivë dhe janë të programuar të fluturojnë lart derisa të arrijnë objektivin e tyre. Qëllimi i rusvë tani është të blejnë dronë edhe më të avancuar dhe shumë më vdekjeprurës”, u shpreh John Kirby.

Presidenti francez Emmanuel Macron sakaq njoftoi se pilotët ukrainas i kanë dyert të hapura për trajnime në Francë, edhe pse e përjashtoi mundësinë që Parisi t’i dërgojë Kievit avionë luftarakë. “Po merren vendime së bashku  me amerikanët”,  pohoi ai gjatë një interviste për TF1, ku tha se trajnimet mund të nisin menjëherë, por pa dhënë më shumë detaje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA