Palestinezët shënuan humbjen 75 vjetorin e humbjes së atdheut të tyre.
Mendohet se rreth 700.000 njerëz në atë që tani është Izraeli dhe Territoret Palestineze u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre pas luftës së vitit 1948. Tani, çdo vit më 15 maj, palestinezët vajtojnë ditën e Nakbas, apo katastrofën, që rezultoi me shpronësimin e tyre.
Rreth 5.6 milionë refugjatë palestinezë, kryesisht pasardhës të atyre që u detyruan të largohen, tashmë jetojnë në Jordani, Liban, Siri, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe në Gaza. Për ata që tashmë gjenden në Gaza, përvjetori është veçanërisht i hidhur pasi pesë ditë sulme ajrore të Izraelit ndaj grupit militant islamik Xhihad në këtë enklavë shkatërruan dhjetëra shtëpi dhe lanë qindra persona të pastrehë.
Qindra raketa u lëshuan drejt Izraelit nga militantët palestinezë. Rreth gjysma e refugjatëve të regjistruar mbeten pa shtetësi, e shumë prej tyre jetojnë në kampe të mbipopulluara. Edhe 7 dekada e gjysmë më vonë, palestinezët ende ëndërrojnë kthimin.
“Kemi jetuar për më shumë se shtatëdhjetë e pesë vjet si refugjatë në kampin Yarmouk të Sirisë, larg vendit dhe shtëpive tona. Ne duam të kthehemi në Palestinë dhe se nuk do të lejojmë që okupatori të abuzojë me ne”, u shpreh Ismail Sedawi, përfaqësues i lëvizjes së Xhihadit Islamik në Siri.
Termi Dita e Nakba-s u krijua në vitin 1998 nga udhëheqësi i atëhershëm palestinez, Yasser Arafat. Ai caktoi këtë datë si ditë zyrtare për përkujtimin e humbjes së atdheut palestinez. Diaspora ndërkombëtare palestineze vlerësohet të jetë rritur në rreth 6 deri në 7 milionë njerëz.
Nëse kjo është e saktë, numri i përgjithshëm i palestinezëve do të ishte afër 13 milionë njerëz. Megjithatë, nuk ka asnjë organ global që mban shënimet për palestinezët në diasporë dhe nuk ka të dhëna të sakta.
Top Channel