Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të martën raportin vjetor për gjendjen e lirisë fetare në botë gjatë vitit 2022.
Në parathënien e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vë në dukje se ndërsa vazhdojnë kufizime domethënëse nga qeveritë në mbarë botën ndaj praktikave fetare, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike në kërkim të lirisë së besimit.
Raporti përmban kapituj të veçantë për gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shqipëri
Në pjesën për Shqipërinë, raporti vë në dukje se qeveria shqiptare ka në fuqi marrëveshje me pesë komunitete fetare, nëpërmjet të cilave i njeh këto grupe si komunitetet kryesore të besimit në vend dhe trajton brenda këtij kuadri çështjet e rikthimit të pronave dhe çështje të tjera. Qeveria shqiptare megjithatë ndihmon financiarisht vetëm katër prej tyre. Raporti përmend se në gusht Dëshmitarët e Jehovait ngritën një padi gjyqësore për shkak se qeveria shqiptare nuk i ishte përgjigjur kërkesës për arritjen e një marrëveshjeje të ngjashme si me pesë komunitetet e tjera të besimit.
Të pesë komunitetet fetare që kanë marrëveshje me qeverinë shqiptare raportuan probleme me procesin e rikthimit të pronave, ndërsa agjencia përkatëse shtetërore përmend kufizimet për shkak të zënies së territorit nga ndërtime të ligjshme dhe të paligjshme, si dhe hapësirat e pakta të disponueshme.
Në tërësi, komunitetet fetare në Shqipëri i përshkruajnë si pozitive marrëdhëniet mes besimeve, megjithëse Dëshmitarët e Jehovait thonë se vazhdon raportimi nën një dritë negative nga disa media në vend, dhe se katër padi të ngritura ndaj këtyre mediave për shpifje që në vitin pararendës vazhdonin të ishin në proces gjyqësor.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë vazhdoi t’u bëjë thirrje zyrtarëve të qeverisë shqiptare që të përshpejtojnë procesin e rikthimit të pronave dhe objekteve të tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste. Ambasada vazhdon të mbështesë programet për të rinjtë, për nxitjen e gjithëpërfshirjes dhe fuqizimin e rolit të grave në komunitetet fetare.
Kosovë
Megjithëse kushtetuta e vendit ndalon diskriminimin fetar dhe garanton lirinë e besimit, legjislacioni i vendit nuk ofron mundësinë për grupet fetare që të fitojnë status ligjor.
Policia i ndaloi Kishës Ortodokse Serbe mbajtjen e liturgjisë në një kishë të kontestuar dhe në disa shkolla të vendit vazhdoi zbatimi i një udhëzimi të qeverisë për ndalimin e veshjeve fetare, duke ua ndaluar kështu qasjen në mësimdhënie nxënëseve që mbajnë hixhab. Pati raportime për diskriminim edhe në vende publike apo në mjediset e punës ndaj grave myslimane që mbajnë veshje fetare.
Qeveria e Kosovës vazhdon të mos zbatojë një vendim të gjykatës të vitit 2016 për njohjen e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe të zonës përreth Manastirit të Deçanit, ndërsa Kisha Protestante Evangjeliste e Kosovës, Dëshmitarët e Jehovait dhe grupe të tjera thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për varreza të dedikuara ua mohoi të drejtën e varrimit sipas besimit të tyre.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë vazhdon ta inkurajojë qeverinë e Kosovës që të hartojë legjislacionin që do t’u mundësojë grupeve fetare marrjen e statusit ligjor, që do të krijonte mekanizmat për të mbrojtur lirinë e besimit dhe do të zgjidhte mosmarrëveshjet për pronësinë. Në një prej takimeve ndërfetare të ambasadës amerikane, për herë të parë u përfshinë drejtues të tarikateve, bektashinjve dhe të tjerë.
Maqedoni e Veriut
Megjithëse kuadri kushtetues dhe ligjor i vendit garanton barazi përpara ligjit për të gjithë individët pavarësisht besimeve të tyre fetare, pesë grupe fetare të krishtera, myslimane dhe hebraike përcaktohen si përfitues automatikisht nga përjashtimi për taksat dhe detyrime të tjera. Një grup pune i krijuar nga qeveria maqedonase në vitin 2021 vazhdoi të shqyrtojë amendamente ligjore për t’u mundësuar kishave dhe xhamive individuale marrjen e statusit si entitete ligjore. Qeveria maqedonase dhe Komuniteti i Bektashinjve të Tetovës vazhduan të kenë dallime për sa i përket regjistrimit të këtij grupi fetar. Ky komunitet nuk e riparaqiti kërkesën e tij për regjistrim të vitit 2000, për shkak të shqetësimeve se mund të shtrëngohej ta ndryshonte emrin e tij, duke rrezikuar kështu për rrjedhojë edhe vazhdimësinë e këtij komuniteti, që ka vazhduar të raportojë përndjekje nga qeveria, nga vetë anëtarët e Komunitetit Fetar të Bektashinjve të regjistruar me qeverinë maqedonase, dhe të tjerë.
Grupet e krishtera dhe myslimane thonë se procesi i rikthimit të pronave vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo i plotë. Megjithëse u punua nga qeveria për të zgjidhur disa nga problematikat e akreditimit të shkollave të mesme fetare të drejtuara nga Komuniteti Fetar Mysliman i Maqedonisë së Veriut, çështja nuk u zgjidh, duke ua ndaluar kështu nxënësve regjistrimin në universitetet laike të vendit.
Njohja nëpërmjet kanonizimit nga Partiarku Ekumenik i Kishës Ortodokse të Lindjes, i dha fund një periudhe të gjatë mosnjohjeje të Kishës Ortodokse të vendit, duke i çelur kështu edhe rrugën drejt arritjes së autoqefalisë.
Ambasada amerikane vazhdon të theksojë rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe mban kontakte të rregullta me përfaqësuesit e qeverisë dhe drejtuesit e komuniteteve fetare për të diskutuar çështjet e lirisë së besimit, përfshirë edhe perceptimin për një favorizim nga qeveria maqedonase të disa grupeve të caktuara fetare, apo mënyrën e trajtimit e grupeve më të vogla fetare nga komunitetet kryesore në vend.
Top Channel