Mediat greke i bënë jehonë reagimit te Fredi Belerit nga qelia.
I përzgjedhur nga Partia e të Drejtave të Njeriut , një forcë politike që përfaqëson në Shqipëri kryesisht pakicën greke, Beleri u mbështet nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”. I gjendur në paraburgim pas ndalimit nën akuzën për blerje vote, kandidati i minoritetit grek në qarkun e Himarës reagoi ndaj fitores me një postim në Facebook, i cili u interpretua nga Kathimerini si shenjë e qartë tolerance dhe mirëkuptimi.
“Pavarësisht ndalimit të tij aktual nga autoritetet shqiptare, Beleri, thuhet në artikull, shprehu një angazhim për barazi dhe unitet. “I mirëkuptoj të gjithë ata që terrorrizmi u mundua t’i nënshtrojë. Sot nuk ka humbës dhe fitues, janë të gjithë qytetarë të Himarës dhe unë kryebashkiaku i tyre dhe si i pari mes të barabartëve do të do të përparojmë së bashku që të bëhemi akoma më të fortë në mbrojtje të demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut!”.
Beleri, i akuzuar për blerje të 8 votave për 40 mijë lekë, u la në burg nga gjykata e Vlorës, ndërsa pas vendimit shpalli mos kompetencë dhe dosja hetimore i kaloi SPAK. Por çfarë ndodh tani me mandatin e tij?
Procedura e ndjekur sipas legjislacionit në fuqi e dikton që brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile). Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak bëhet betimi dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie.
Ndërkohë, ndaj Belerit nuk ka një vendim të formës së prerë e me shumë gjasë, mandati i tij mund të shpallet i vlefshëm nga Gjykata. Por nëse për 3 muaj ai nuk paraqitet për betim, e për rrjedhojë për ushtrim të detyrës, Këshilli Bashkiak të mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit ne fuqi.
Top Channel