Mesazhe të qarta janë përcjellë në takimin për kontrollin e armëve të zjarrit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe parandalimin e trafikimit të tyre, që po zhvillohet në Bruksel.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe sigurine, Josep Borrell, insistoi se rreziku nga këto armë nuk është vetëm në teori, por i vërtetë. Është e gabuar të mendohet se gjëra të tilla nuk ndodhin në Europë, sepse në fakt ato po ndodhin u shpreh ai duke iu referuar ngjarjeve të fundit shokuese në Serbi, ku ndodhën njëri pas tjetrit dy episode të shtënash masive.
“Që të ndodhin ngjarje si këto, autorët duhet të kenë qasje tek armët, ndaj kjo konferencë tërheq edhe më shumë vëmendje dhe interes. Sepse raste të tilla dramatike na rikujtojnë se sa e rëndësishme është që të punojmë së bashku për të luftuar trafikun e armëve të lehta. Është detyrë e të gjithëve ta bëjmë Europën më të sigurt në këtë kohë sfidash”, u shpreh Borrell.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së e lavdëroi fushatën e mbledhjes së armëve që nisi Qeveria e Serbisë pas rasteve tragjike, dhe tha se Brukseli e mbështet plotësisht një nismë të tillë. Shpesh, shërbimet e vendeve anëtare të bllokut kanë tërhequr vëmendjen se sasi të mëdha armësh të paligjshme hyjnë në tregun e BE-së pikërisht nga rajoni i Ballkanit dhe rrjetet e krimit të organizuar nga këto vende janë aktive në Bashkimin Europian.
Blloku ka investuar deri tani 38 milionë euro si ndihmë për aktivitetet e kontrollit të armëve të lehta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Top Channel