“U arrestua anëtari i minoritetit etnik grek”/ Dendias: Nëse s’ka prova se Beleri ka vjedhur vota, ky është skandal!

12/05/2023 13:06

Ministri i Jashtëm grek ka reaguar për arrestimin e kandidatit për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Në deklaratën e tij, Dendias u shpreh se nëse s’ka prova që Beleri ka vjedhur vota, kemi të bëjmë me një skandal. Ai tregon se ngjarjen që ndodhi dy ditë para zgjedhjeve, e ka raportuar te përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe te ministri i Jashtëm suedez.

“Dua të pozicionohem edhe për diçka tjetër të cilën e konsideroj tepër të të rëndësishme, arrestimin e një anëtari të minoritetit etnik grek, Fredi Belerit, kandidat për bashkinë e Himarës në Shqipërisë, së bashku me të edhe të një tjetër shtetasi grek.

Doja të thosha se nëse nuk ka prova të pa kontestueshme, arrestimi i tij dy ditë para zgjedhjeve përbën një skandal të vërtetë.

Njoftova për këtë edhe zotin Borrel si dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, që ka edhe kryesimin e radhës së Bashkimit Europian. Qeveria greke do të ndjekë çështjen nga shumë afër“, u shpreh Dendias.

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Himarës, Alfred Beleri u arrestua pak minuta pas mesnate, në restorantin e tij dhe u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.

Gjatë mëngjesit të sotëm atij i është komunikuar urdhri i arrestit dhe akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”.

Top Channel