Rama në Pukë: Maska e faqes së zezë në Tiranë ka premtuar 100 pallate, turp!

12/05/2023 13:58

Kryeministri Rama ka mbyllur fushatën elektorale në Pukë.

Në takim me mbështetësit e tij, ai është shprehur se ka për qëllim që të rrisë deri në 100 mijë numrin e turistëve në këtë zonë. Rama gjithashtu e quan turp premtimin e Berishës për ndërtimin e 100 pallateve në Pukë.

“Sot më thanë që numri i tyre ka arritur ne 10 mijë, por për mua, 10 mijë janë vetëm dallëndyshet e para që lajmëron një pranverë që s’ka ardhur akoma në atë aspekt dhe ambicia ime është që turistët këtu t’i çojmë në 100 mijë. Po 100 mijë turistë nuk mund të vijnë këtu në 100 pallate që paska premtuar ai maska i faqes së zezë në Tiranë, do bëjë 100 pallate në Pukë, që kur thotë do të bëjë 100 pallate në Pukë, çdo pukian edhe ai më i djathti duhet t’i vërë vizën.

Jo vizën tek fleta e votimit largqoftë, po kryqin, kryqin si person. Ç‘është ky që thotë “do të bëj 100 pallate”? Çfarë janë këta? A kuptoni se këta nuk meritojnë as minimumin e vëmendjes, jo më respekt?

Do bëjë 100 pallate? Po atë bandit, djalin e gjykatësit të  larguar nga vettingu për korrupsion që vjen këtu dhe nxjerr armë në Pukë, çfarë e kanë atë? Ndërtuesin e ardhshëm të pallateve? Apo e kanë sjellë këtu për drejtor të planifikimit strategjik të zhvillimit virtual të Pukës? Po këto hordhi që i lëshojnë natën rrugëve për të kërcënuar njerëz, çfarë i kanë këto?

Punëtoret që do të ndërtojnë 100 pallatet? Po si është e mundur që në vitin 2023 të vazhdojë ky avaz me njerëz që vijnë si hiena dhe turren rrugëve e shqetësojnë banorët e këtij vendi, për t’i imponuar se çfarë të votojnë? Po si është e mundur? Po i mund të pranojnë këtë dhe ata që i përkasin asaj që është e djathta”, u shpreh Rama.

Top Channel