Përplasja e kryebashkiakut të Maliqit me deputetin Spaho, policia: Janë marrë në pyetje në komisariat

12/05/2023 20:21

Pas incidentit të shënuar në ditën e fundit të fushatës elektorale në Maliq, kryebashkiaku Gëzim Topçiu dhe deputeti i PD-së Edmond Spaho, janë marrë në pyetje nga policia.

Deputeti i PD-së, Edmond Spaho u përplas me kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiun gjatë takimit të tij me fermerët e zonës së Vreshtanit.

Spaho pretendoi se Topçiu po shfrytëzonte postin për fushatë dhe nisi të filmojë takimin. Menjëherë reagoi kryebashkiaku dhe banorët e pranishëm, që shtynë demokratin dhe i rrëzuan celularin.

Policia thotë se nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimit u kërkua të paraqiteshin në ambientin e Komisariatit të Policisë Maliq, kryetari i bashkisë dhe deputeti i PD-së të cilët janë pyetur dhe intervistuar në lidhje me këtë ngjarje dhe më pas janë lënë të lirë.

Nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe janë administruar pamjet filmike të regjistruara gjatë këtij aktiviteti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vlerësim.

Top Channel