Opozita turke akuzon Rusinë për ‘videon e rreme të skandalit seksual’ gjatë fushatës (fotot)

12/05/2023 17:14

Kemal Kılıçdaroğlu, rivali kryesor elektoral i Rexhep Tajip Erdoğan, bëri sot pretendimin surprizë dy ditë para zgjedhjeve të së dielës.

Kandidati kryesor opozitar  ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje para votës më të rëndësishme të një gjenerate në vend.

Kılıçdaroğlu i partisë republikane (CHP), akuzon se agjenci të Moskës kanë krjuar video të rreme dhe materiale të tjera denigruese ndaj opozitës, duke iu referuar një videoje të rreme seksuale të kandidatit Muharrem İnce, çka bëri që ai të hiqte dorë nga gara elektorale një ditë më parë.

“Nëse doni të vijoni miqësinë me ne pas 15 majit, mbani duart larg nga shteti turk, ne jemi përsëri pro miqësisë e bashkëpunimit”, tha Kılıçdaroğlu.

Por zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov refuzoi pretendimet në fushatën elektorale. “Ne deklarojmë zyrtarisht se nuk mund të bisedojmë për ndërhyrje dhe nëse dikush i ka dhënë zotit Kılıçdaroğlu informacione të tilla ata janë gënjeshtarë.”

Votuesit turkë zgjedhin të dielën si presidentin dhe parlamentin e tyre dhe një fitore e mundshme e Erdoğan do të përqendronte më shumë pushtetin në duart e tij, shkruan britanikja Guardian.

Sondazhet e deritanishëm sugjerojnë një garë të ashpër, ndërsa për një fitore të menjëhershme kandidatit presidencial i duhet 50% e votave, ndryshe kalo në raundin final dy javë më vonë.

Erdoğan më parë ka kritikuar ambasadorin amerikan në vend Jeff Flake për takimet publike me opozitarin Kılıçdaroğlu, duke thënë: “Turqia me këto zgjedhje do t’i japë një mesazh të qartë Perëndimit”.

Ndërsa ministri i tij i brendshëm Süleyman Soylu, shkoi edhe më tej duke thënë se “perëndimi po tenton grusht shteti në zgjedhjet e 14 majit”.

Erdoğan raportohet e ka shtuar influencën e Turqisë në botë gjatë dy mandateve të tij dhe është kujdesur për projekte të mëdha infrastrukture, por kriza ekonomike ka përgjysmuar vlerën e lirës turke.

Opozitarja Canan Kaftancıoğlu, e CHP, e ndaluar nga politika për ofendime ndaj Erdoğan, tha dje se “zgjedhjet do të vendosin një shembull për Turqinë dhe të gjithë botën, duke eliminuar regjimin autoritar”.

Në zgjedhjet parlamentare sondazhet perëndimore tregojnë se Erdoğan mund të humbasë shumicën, por opozita duhet të fitojë maxhorancën dhe në parlament dhe në presidencë për të ardhur në pushtet.

FOTO GALERI
1/3
Kemal Kılıçdaroğlu, rivali kryesor elektoral i Rexhep Tajip Erdoğan, bëri sot pretendimin surprizë

Top Channel