Detajet nga përgjimet që ‘fundosën’ Belerin/ Çfarë roli kishte bashkëpunëtori i drejtësisë, komunikoi me kandidatin pesë ditë më parë

12/05/2023 13:45

Detaje të reja kanë dalë në dritë për arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Bashkëpunëtori i drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet, hyri në diskutim me Belerin pesë ditë më parë.

Janë dhënë 400 mijë lekë të vjetra për tetë persona, deklarojnë burime pranë policisë së Vlorës për Anila Hoxhën.

Sipas informacioneve, ai i tha se kishte tetë persona dhe nga përgjimi ambiental bien dakord që do u jepeshin nga 50 secilit. Në një moment në bisedë e sipër i dyshuari i thotë bashkëpunëtorit të drejtësisë se nëse e bën këtë, do t’i jepte 400 mijë lekë për tetë votuesit dhe 300 atij vetë.

Një pjesëtar i grupit të hetimit i pohoi Anila Hoxhës  më pas se për ta bindur i është treguar dhe lista e zgjedhësve që bashkëpunëtori i drejtësisë tha se i kishte gati.

Ndihmësi i Belerit dhe ai i dyshuar për nenin 328 është personi që në vëzhgimet ambientale ia çon paratë bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ky i fundit u vonua në takim dhe në një moment ndihmësi e telefonon Belerin duke i treguar se personi nuk gjendej aty. Beleri shprehet “prit një minutë” dhe më pas bashkëpuntori i drejtësisë shfaqet në vendtakim për të marrë paratë nga ndihmësi i Belerit.

Anila Hoxha tha për Top Channel se sipas dosjes së hetimit rezulton që paratë për tetë vota u dhanë në një WC dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit të dërguar nga Tirana.

Çdo veprim me bashkëpunëtorit e drejtësisë dhe për paratë është ndjekur me urdhra të Prokurorisë së Vlorës.

Ndërkohë që me shumë mundësi masa e sigurisë mund të zhvillohet nesër në gjykatën e Vlorës, sipas burimeve shumë të sigurta të gazetares Hoxha. Më tej pritet të shpallet mos kompetenca dhe dosja t’i kalojë SPAK.

Një ditë me parë në një intervistë Exclusive për Anila Hoxhën, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela tha se ka vendosur udhëzime duke urdhëruar daljen në terren të prokurorëve që kanë kaluar në gatishmëri për 14 majin dhe do të jenë në detyrë gatishmërie derisa KQZ të shpallë rezultatin final.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është arrestuar në minutat e para të 12 majit në restorantin e tij në Himarë.

Gjatë mëngjesit të sotëm atij i është komunikuar urdhri i arrestit dhe akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”
Belerin e kanë shoqëruar dy persona në drejtim të komisariatit Himarë dhe më pas mësohet se është dërguar drejt Vlorës. Bashkë me të janë shoqëruar avokati i tij personal dhe një tjetër pjesë e stafit të punës.

Në komisariatin e Himarës, Belerin e kanë pritur simpatizantë teksa bashkë me ta ka qenë edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili e quan sulm të pastër politik dhe bën thirrje që të tilla tentative, për pengimin e procesit elektoral të ndalen. Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit, është orkestruar nga kryeministri Rama.

Pas tri orësh nga shoqërimi është liruar avokati personal i Fredi Belerit.

Rebani Jaupi, drejtori për rendin dhe sigurinë publike tha se Prokuroria e Vlorës ka pasur një procedim penal ndaj kandidatit për kryetar bashkie në Himarë.

Arrestimi i tij ka sjellë reagime nga politika shqiptare dhe ajo greke. Sipas banorëve të Himarës dhe Dhërmiut, të cilët dëshmuan në polici, atyre u është premtuar nga Beleri 100 mijë lekë për një votë.

Procesverbali për Fredi Belerin

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë Auel Zarka, në deklaratë për shtyp, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë tha: Më datë 08.05.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka regjistruar procedimin penal nr. 489, mbi bazën e referimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.   Nga aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues. Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e prokurorit është autorizuar kryerja e një sërë veprimesh procedurale në terren, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, me qëllim konstatimin e faktit penal për të cilin është regjistruar ky procedim penal.  Pas kryerjes së një sërë veprimesh nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në faktet e mbledhura gjatë hetimit dhe në provat e siguruara në dinamikë, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i shtetasve:       Dh. B. alias A. B., 51 vjeç, dhe P. K., 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328, 25 i Kodit Penal.  Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të rinj. Hetimet vazhdojnë.

FOTO GALERI
5/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA