Detaje të reja nga përgjimet/ Fredi Beleri nuk është kapur me para në dorë, dërgonte ndihmësin e tij për të blerë votat

12/05/2023 17:03

Detaje të reja janë zbuluar nga përgjimet për shitjen e votave që çuan në arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Bashkëpunëtori i drejtësisë që ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet, gjatë marrjes së parave ka bërë diskutim me ndihmësin e Belerit. Pasi është rënë dakord për 400 mijë lekë të vjetra për tetë persona, ai i ka thënë se ka gjetur edhe një votues të nëntë për të cilin ka kërkuar para.

Ndihmësi i Belerit nuk pranon për të dhënë para për votuesin e nëntë duke thënë “vetëm kaq sa kemi folur se me atë e kemi rregulluar vetë”.

Në fakt thonë burimet e Anila Hoxhës, bashkëpunëtori i drejtësisë nuk ka folur me asnjëri nga tetë emrat që ju treguan në një nga takimet Fredi Belerit.

Dhe gjatë takimit ku ai u vonua si taktikë hetimore nga prokuroria dhe policia e Vlorës, në kohën që bashkëpuntori vonohet pak minuta, ndihmësi telefonon Belerin. Ky i fundit i kërkon të presë.

Paratë që jep ndihmësi i Belerit janë fiks sa bashkëpunëtori ra dakord në një takim me kandidatin.

Beleri nuk është kapur me para në dorë, por ndihmësi i tij, kështu që prokuroria i deklaroi Anila Hoxhës se ai megjithëse nuk i jep paratë është pjesë e planit për të blerë vota dhe për këtë dërgon ndihmësin e tij.

Anila Hoxha tha për Top Channel se sipas dosjes së hetimit rezulton që paratë për tetë vota u dhanë në një WC dhe se ky moment është vetëm me audio dhe jo i filmuar dhe me kamera sikurse takimet e tjera nën vëzhgim nga një grup i Policisë së Shtetit të dërguar nga Tirana.

Çdo veprim me bashkëpunëtorit e drejtësisë dhe për paratë është ndjekur me urdhra të Prokurorisë së Vlorës.

Ndërkohë që me shumë mundësi masa e sigurisë mund të zhvillohet nesër në gjykatën e Vlorës, sipas burimeve shumë të sigurta të gazetares Hoxha. Më tej pritet të shpallet mos kompetenca dhe dosja t’i kalojë SPAK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA