Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot se projekt statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i paraqitur nga Ekipi Menaxhues javën e kaluar në Bruksel, është model për një Republikë Serbe dhe dëshmon se Serbia nuk brengoset për të drejtat e pakicave, por që të ketë një instrument nëpërmjet të cilit do të sfidonte sovranitetin, tërësinë tokësore dhe shtetësinë e Kosovës.
“Pika fillestare duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Jo një propozim nga Serbia që synon krijimin e një Republike të Milorad Dodikut apo edhe më keq në rajonin tonë dhe të na kthej prapa në vitet e 90-ta. Kjo duhet të refuzohet njëzëshëm si një model jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe jo të shihet si bazë për bisedime”, tha presidentja Osmani, duke ju referuar vlerësimeve të zyrtarëve evropianë se projekt statuti është një pikënisje për diskutimet e ardhshme rreth kësaj çështjeje.
Presidentja Osmani, e cila po qëndron për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, tha në një bashkëbisedim me bashkëpunëtoren e Këshillit të Atlantikut, Ilva Tare, se përpjekjet për ta bërë Asociacionin më të rëndësishëm sesa marrëveshjet tjera të arritura në bisedimet me Serbinë, “është një rrugë shumë e rrezikshme për të ardhmen e dialogut. Ne nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiçit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi me 2 maj në Bruksel projekt statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ndërsa propozoi një projekt pikëpamje të frymëzuar nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha javën e kaluar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe se statuti duhet të jetë “fryt i një kompromisi”.
Themelimi i Asociacionit parashihet edhe me pajtimin e arritur në Ohër me 18 mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rrugën e zbatimit të një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar pasoja për mospërmbushjen e marrëveshjes dhe përfitimet nëse ajo zbatohet.
Presidentja Osmani tha të mërkurën se “Kosova ka marrë garanci që nëse e pranon marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit me Serbinë, atëherë një nga çështjet për të cilat do të përfitonte mbështetje të madhe do të ishte Partneriteti për Paqe e më pas anëtarësimi në NATO që ishte një shtytje pozitive”.
Presidentja Osmani, tha ndërkaq se është shumë e rëndësishme që Perëndimi të mos lejojë boshllëk në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që mund të shfrytëzohet nga faktorët e tretë.
“Historikisht Rusia ka treguar interes për të shfrytëzuar Ballkanin Perëndimor për ta destabilizuar pjesën tjetër të Evropës. Rusia mund të ketë sukses sepse në Evropën juglindore ajo ka një shtet që është zgjatim i saj, e kjo është Serbia, një vend autokratik”, tha presidentja Osmani.
Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Moskës për pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.
Top Channel