Policia në Evropë ka bërë apel sot për identifikimin e trupave të 22 grave e vajzave që janë gjetur të masakruara, duke shpërndarë të dhënat e tyre dhe hetimet e deritanishme.
Interpol ka shpërndarë gjithashtu modele rindërtimi të fytyrave të viktimave që janë gjetur në Holandë, Belgjikë e Gjermani.
Imazhet shoqërohen me përshkrime e tatuazhe, bizhuteri dhe identifikues të tjerë të mundshëm.
Moshat e viktimave tragjike variojnë nga 15 vjeçe deri në 30 vjeçe, të cilat janë gjetur të vdekura në tre dekadat e fundit.
Policia holandeze tha se shumica kanë pësuar vdekje të dhunshme, me shenja abuzimi dhe vuajtjeje para vdekjes.
Rastet e pazgjidhura përfshijnë një grua të gjetur në lumin Groot Schijn në Antwerp, Belgjikë, si dhe një tjetër fatkeqe trupi i së cilës ishte djegur në pyllin Altena-Bergfeld në Gjermani.
Një vajzë që ishte jo më shumë se 16 vjeçe, ishte futur në një çantë dhe hedhur në lumin IJ në Amsterdam.
Detektivja e Interpol Carina Van Leuven tha: “Identitetet e këtyre viktimave nuk janë përcaktuar ende, pjesërisht prej faktit se mund të mos jenë nga vendet ku u gjetën”.
Kjo është hera e parë që Interpol shpërndan lajmerimet e zeza (detaje për trupat e paidentifikuar) me publikun, të cilat zakonisht ndaheshin vetëm me degët e Interpol nëpër botë.
Projekti nisi kur detektivja Van Leeuwen dhe një koleg kërkuan bashkëpunim me oficerët në Gjermani e Belgjikë teksa përpiqeshin të identifikonin trupin e një gruaje të gjetur në një kazan mbeturinash pranë lumit Gaasp në Amsterdam në 1999.
Duke bashkëpunuar me policitë e shteteve fqinje ata kuptuan numrin e madh të femrave dhe personave të zhdukur dhe të paidentifikuar ne Evropë si rezultat i trafikut njerëzor dhe krimit, prandaj vendosën të hartojnë një listë informacioni me qëllim marrjen e ndihmës nga publiku evropian.
Van Leeuwen tha se shpreson të identifikojë viktimat dhe të arrestojë vrasësit e tyre, edhe pse njoftimi i familjeve të viktimave është diçka parësore.
Oficerja premtoi të mos heqë dorë nga hetimi rasteve të trishta të grave e vajzave të masakruara: “Ti je një person, ke një emër dhe ke një histori, historia jote duhet të tregohet deri në fund edhe nëse është tragjike apo e tmerrshme”.
Lista e plotë e viktimave dhe detajet e njohura deri tani mund të konsultohen në këtë adresë.
Top Channel