Mbrojtësi i kombëtares së Anglisë, Kieran Trippier është rikthyer të flasë për periudhën e tij tek Tottenham.
Sipas anësorit të djathtë fillimi i tij me Spurs-at nuk ishte aspak i lehtë duke qenë se trajneri Mauricio Pochetino ishte shumë kërkues sa i takon përgatitjes fizike. Trippier që aktualisht është pjesë e Newcastle në Premier League tregon se në vitin 2015 kur sapo kishte firmosur me Tottenham, trajneri Pochetino e detyroi t’i nënshtrohej një regjimi ushqimor pasi sipas argjentinasit lojtari ishte mbipeshë dhe fajin e kishin “Mojitot” e shumta të konsumuara gjatë pushimeve në Meksikë.
“Isha me pushime në Cancun, Meksikë dhe mendova se isha në formën e duhur pasi u ktheva. Por, te Tottenham më vendosën në “klubin e të obezëve”. E kuptova se po më trajtonin ndryshe nga të tjerët pasi kisha një tjetër mënyrë të stërviturit, por edhe të menusë ushqimore.
Për mua ishte shokuese sepse kur unë shkoja për t’u stërvitur, pjesa tjetër e skuadrës e përfundonte atë. Mendoj se te Tottenham janë shumë të ashpër në lidhje me aspektin fizik, edhe pse ndoshta mund ta kisha tepruar gjatë pushimeve me ndonjë “Mojito” më shumë. Pochetino ishte i qartë dhe më tha se brenda gjashtë muajsh duhej të rikthehesha në formë optimale”, u shpreh Trippier.
Më tej, mbrojtësi ndalet edhe te rikthimi në Premier League te Newcastle pas një eksperience në Spanjë tek Atletico Madrid. 32-vjeçari shprehet se zgjedhja për të veshur fanellën e “Magpies” ishte e duhura ndërsa shtoi se e pranoi transferimin në St. James Park pavarësisht se fiton më pak para se tek Los Colchoneros.
“Newcastle për mua ishte zgjedhja perfekte edhe pse pati shumë zëra në momentin kur firmosa për klubin. Njerëzit ende nuk e kuptojnë dhe nuk e kanë të qartë se nuk erdha për para, madje te Neëcastle fitoj më pak seç fitoja tek Atletico. Mund të firmosja për tre vite të tjera në Madrid, por nuk e bëra.
Kisha arsye për t’u kthyer në Angli, një prej tyre është familja. Kur firmosa për Newcastle e dija se ata ishin në vendin e 19-të dhe mund të luaja në Championship, por nuk kam asnjë pendesë për vendimin. Në kontrata nuk kishte asnjë klauzolë që më lironte nëse klubi binte një kategori më poshtë. Ishte “bixhoz”, e them edhe njëherë se nuk pendohem aspak”, u shpreh Trippier./ SuperSport
Top Channel