Federata Ndërkombëtare e Xhudos tha të mërkurën se ka dëbuar një grup spektatorësh nga kampionati botëror i xhudos që po mbahet në Doha të Katarit, pasi ata refuzuan heqjen e një simboli ushtarak rus.
Tre spektatorët u panë të mbanin një stemë e cila konsiderohet nga shumë ukrainas si një simbol i agresionit rus dhe është ndaluar në disa vende evropiane, teksa ndoqën aksionin e së martës në një arenë në kryeqytetin e Katarit.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos i tha agjencisë së lajmeve ‘AFP’ se spektatorët refuzuan të hiqnin stemën dhe kështu ata u detyruan të dilnin jashtë.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka lejuar xhudistët rusë dhe bjellorusë të marrin pjesë në këto kampionate si konkurrentë neutralë, pasi më parë ua kishte ndaluar garat pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Si rezultat i vendimit për të lejuar kthimin e rusëve dhe bjellorusëve, Ukraina ka bojkotuar ngjarjen.
Në këtë kampionat francezja, Clarisse Agbegnenou, fitoi titullin e gjashtë botëror, vetëm 11 muaj pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.
30 vjeçarja mundi Andreja Leski të Sllovenisë me në kategorinë deri në 63 kilogram.
“Nuk mund të kisha ëndërruar më mirë. Kam punuar shumë, shumë për të arritur këtu”, tha kampionia e dyfishtë olimpik.
Gjeorgjiani Tato Grigalashvili mbrojti me sukses titullin deri në 81 kilogram për meshkuj me fitoren ndaj Matthias Casse nga Belgjika, kampion i botës më 2021./ REL
Top Channel