Urimet e politikës shqiptare në Ditën e Evropës: Shqipëria, më pranë idealit dhe ëndrrës europiane

09/05/2023 11:45

Politika shqiptare, përmes mesazheve në rrjetet sociale, ka shpërndarë urimet për Ditën e Evropës.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në urimin e tij, thekson se Shqipëria ndan të njëjtat vlera me të gjitha vendet europiane.

“Le të festojmë sot në Ditën e Evropës unitetin dhe paqen, vlera që Shqipëria i ndan me të gjitha vendet evropiane. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, është e qartë se Shqipëria i përket BE-së për shkak të lidhjeve të saj kulturore, historike dhe politike me Evropën”.

“Gëzuar Ditën e Evropës”, shkruan kryeministri Edi Rama në urimin e tij, krahas një fotoje me mbishkrimin “Evropa është këtu, këtu është Evropë”.

Familja e madhe europiane është bërë sot ideali dhe ëndrra që po prekin shqiptarët, shkruan kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në mesazhin e saj.

“9 Maji, Dita e Europës, mishëron idealin, i cili përgjatë shtatë dekadave u shndërrua në projektin politik, ekonomik e kulturor më emancipues e qytetërues të botës moderne. Familja e madhe europiane, ky realitet për qytetarët e Europës, është bërë sot ideali demokratik, ëndrra që po prekin shqiptarët dhe frymëzim për të gjithë kombet që aspirojnë për lirinë, demokracinë liberale, vlerat perëndimore.

Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonimi i paqes, bashkimit, perëndimit, modernizimit, dhe mirëqenies. Europa është fari që orienton botën e sotme të trazuar, është busulla që tregon lëvizjen e kombeve drejt zhvillimit e progresit, është udhëharta drejt bashkimit, sigurisë dhe paqes. Ne, shqiptarët, jemi krenarë për rrënjët, identitetin, vizionin, vlerat, të ardhmen tonë të sigurtë europiane”.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, shkruan se Shqipëria është sot pranë Evropës, më shumë se kurrë më parë.

“Sot ne festojmë Ditën e Evropës, një ditë që na bashkon të gjithëve, në një ëndërr për një të ardhme bashkimi e vlerash të përbashkëta. Pas më shumë se 3 dekadash pune e sakrifice, Shqipëria është sot më afër se kurrë realizimit të kësaj ëndrre historike të popullit shqiptar. Ne jemi sot më të përkushtuar se kurrë për të bërë gjithçka që duhet që vendi ynë të zërë vendin që i takon si anëtar i BE-së”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA