Dita e Evropës/ Ambasadorët festojnë në Parkun Kombëtar të Dajtit, Hohmann: Ky është viti evropian i aftësive

09/05/2023 10:41

Ambasadorët e huaj në Tiranë janë mbledhur në Parkun Kombëtar të Dajtit për të festuar Ditën e Evropës.

Mes diplomatëve, janë edhe ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Ndryshe nga vitet e tjera, ata zgjodhën që të festojnë ditëlindjen e Bashkimit Evropian në natyrë, nisur edhe nga tema, “aftësitë”.

Hohmann u shpreh se Shqipëria është në rrugën e duhur, edhe pse duhet bërë  shumë punë që të bëhet shtet anëtar me të drejta të plota në BE.

“Gëzuar ditëlindjen, sepse është ditëlindja jonë e të gjithëve dhe dëshiroj meqenëse është ditëlindje për gjithë Shqipërinë, dua të gëzojmë të gjithë së bashku. Keni ecur goxha në këto 10-11 muaj, është e vërtetë që ka ende shumë punë për të bërë, por ajo që dëshiroj të theksoj është që Shqipëria është Europë, është e vërtetë që ka ende shumë punë për të bërë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar me të drejta të plota në BE. Prandaj jemi këtu sot në malin e Dajtit, nuk donim të bënim atë pritjen. Duhet të festojmë ato gjëra që ne kemi, që ne kemi arritur dhe a nuk ka vend më të mirë se në malin e Dajtit?! Ky vit evropian i aftësive është kaq i rëndësishëm sivjet, dhe hyn në lojë në formë automatike se me aftësitë  e duhur do të jetë më lehtë dhe këtu bëhet fjalë për aftësitë më të ndryshme. Ajo që është e rëndësishme, pse të mos përdorni atësitë tuaja t’i vendosni në një video dhe t’i tregoni ato. Kjo është sfida jonë në Shqipëri që ne të jemi një partneri i plotë, është falë aftësisë që ne jemi këtu së bashku, edhe pse jemi në mal, ia vlen të bësh një hap pas për të reflektuar mbi ato që kanë ndodhur”, tha ambasadorja e BE-së.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës. Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

FOTO GALERI
4/54

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA