Kosova, Ditën e Evropës e shënon si festë zyrtare, ndryshe prej vendeve të tjera.
Përkundër rreshtimit kah Perëndimi, si shtet i ri rruga e saj drejt integrimit është e gjatë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog thotë se problemet kryesore për Kosovën mbetën zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, por mbi të gjitha dialogu Kosovë – Serbi, për çka shpreh shqetësimin e tij për situatën e krijuar në veri të vendit.
“Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në veri. Po punojmë me zyrën e BE-së dhe SHBA-të dhe natyrisht që komunikojmë me KFOR-in dhe EULEX-in. Është situatë shqetësuese dhe mendoj se palët duhet të ndërmarrin hapa për të qetësuar situatën dhe normalizojnë marrëdhëniet”, tha Szunyog.
Megjithatë, ambasadori evropian thotë se ndihma e BE-së ndaj Kosovës do të vazhdojë në secilin aspekt e sidomos në atë financiar.
“Ne po i ofrojmë Kosovës ekspertizë në nivel teknik e po ashtu edhe financiar. Jemi të kënaqur që jemi donatorët më të mëdhenj të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi. Sapo kemi përfunduar me Qeverinë pakon për mbështetjen në sektorin e energjisë në vlerë prej 75 milionë eurove”, shtoi ambasadori.
Përpos pengesave politike në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, për njohësit vendor, problemi kyç është mirëqenia e dobët e qytetarëve.
“Kur flasim për mirëqenien, flasim vetëm për mirëqenien dhe marrim si indikator pagën minimale që është paga më e ulët në kontinentin e Evropës dhe kjo është rrjedha logjike e të gjitha problemeve të tjera”, tha analisti Dritëro Arifi.
Hap i mirë në rrugën e integrimit është konsideruar liberalizimi i vizave që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së që nga 1 janari i vitit 2024 dhe pranimi i aplikimit në Këshillin e Evropës.
Top Channel