Një tjetër incident elektoral është shënuar këtë herë në Burrel.

Është kandidati socialist Agron Malaj, ai i cili ka publikuar një video, për të cilën thotë se shfaqen disa persona, të cilët i quan një bandë të cilët gjithnjë sipas tij, godasin dy zyrtare shtetëror gjatë koncertit në sheshin “Ahmet Zogu”, përpara zyrave të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Agron Malaj në atë që e quan denoncim publik, thekson se incidenti është prodhuar prej një eksponenti të  Partisë Demokratike pa vule që shoqëron kandidatin Skender Gjuci.

Malaj i quan këto veprime të qëllimshme për të  shantazhuar popullin e Matit me veprime të tilla.

“Këto banda janë llum i neveritshëm, që mendojnë se me të tilla veprime do të shantazhojnë popullin e Matit”, thotë në fund të denoncimit kandidati socialist Agron Malaj.

Pas publikimit të videos, policia ka nisur hetimin ndaj dy personave, babë e bir dhe ka shpallur në kërkim një 21-vjeçar. Sipas njoftimit, këta shtetas, të dielën në mbrëmje kanë dhunuar përgjegjësin e Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Mat, i cili ka pësuar dëmtime të lehta fizike.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, në qendër të qytetit të Burrelit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, disa shtetas të përfshirë në këtë konflikt. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë vënë menjëherë në dijeni prokurorin e gatshëm të Prokurorisë së Dibrës, për këtë konflikt, dhe në drejtimin e kësaj prokurorie, kanë kryer të gjitha veprimet e para procedurale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ka nisur procedimi penal për shtetasit S. R., 49 vjeç dhe E. R., 21 vjeç (babë e bir), si dhe për shtetasin A. M., 21 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.05.2023, rreth orës 22:00, në qytetin e Burrelit, kanë goditur me grushte dhe me mjete të tjera, për shkak të detyrës, shtetasin H. S., me detyrë përgjegjës i Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Mat, i cili ka pësuar dëmtime të lehta fizike. Si pasojë e këtij konflikti, ka mbetur i dëmtuar dhe shtetasi E. S., 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin. Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra, ka rezultuar se shtetasi S. R. i ka kërkuar më parë, shtetasit H. S., që t’i regjistronte në emër të tij, një pronë e cila ishte në proces gjyqësor. Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat dhe është marrë në pyetje mbi rrethanat e këtij konflikti, shtetasi A. D., i cili pas dhënies së deklarimit, është lënë i lirë. Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA