Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese për të diskutuar rreth shqetësimeve të ngritura nga ta për forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhës euro.
Ky takim u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe tryezës së diskutimit për të vlerësuar shqetësimet e tyre, për t’u informuar lidhur me situatën si dhe për të sugjeruar instrumente e alternativa të koordinuara me industrinë financiare. Në takim mori pjesë edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, së bashku me përfaqësues të tjerë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe drejtues nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana e eksportuesve të pranishëm ishin Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, Lumtor Shkreli nga Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri, Edvin Prence dhe Florjon Zekja nga Shoqata Proeksport Albania, si dhe Filip Gjoka nga Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.
Guvernatori Sejko e hapi këtë takim duke theksuar se Shqipëria prej shumë vitesh ndjek një regjim të lirë kursi këmbimi. Në zbatim të këtij regjimi, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.
Për sa i përket trendit forcues të monedhës vendase, sipas analizave të kryera, Banka e Shqipërisë gjykon se ky pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, të shfaqura këto në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe në rritjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare.
Guvernatori shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.
Forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar qëndrueshmërinë e bilanceve financiare të kredimarrësve në valutë, duke pasur një efekt direkt pozitiv në nivelin e kredive me probleme dhe në stabilitetin financiar të vendit.
Gjithashtu, ky forcim nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare përkundrazi, ai ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit në vend, i cili ka qenë dhe mbetet më i ulti në rajon, duke ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare. Si rrjedhojë, Shqipëria pati një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon gjatë vitit 2022.
Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet në vazhdimësi e angazhuar të krijojë një ambient monetar e financiar sa më të sigurt, të qëndrueshëm dhe transparent, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë. Banka e Shqipërisë i ftoi eksportuesit të jenë vazhdimisht të kujdesshëm në strategjitë dhe planet e tyre të biznesit, si dhe të bashkëpunojnë sa më ngushtë me industrinë financiare, e cila ofron instrumentet e duhura për t’u mbrojtur ndaj këtyre rreziqeve.
“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme për t’ju ndihmuar me trajnime dhe ekspertizë për përdorimin e këtyre instrumenteve” – u shpreh Guvernatori.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese vlerësuan zhvillimin e këtij takimi si mjaft të frytshëm dhe reagimin e shpejtë të Bankës së Shqipërisë dhe MFE për shqetësimet e ngritura nga ata. Ata u shprehën se kërkesat e tyre iu janë adresuar të dy institucioneve për të vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmesës në kushtet e krijuara për këtë grup interesi. Ndërkohë vetë këto industri kanë filluar të marrin masa për të zvogëluar impaktin që ka nënçmimi i monedhës euro në ecurinë e biznesit të tyre.
Të dy institucionet mbeten të angazhuara për të ndjekur dhe monitoruar me kujdes situatën me kursin e këmbimit dhe ndikimin e tij në sektorin e eksportit. Nga ana e tij Guvernatori theksoi se urat e bashkëpunimit do të mbeten të hapura dhe institucionet do të ndjekin hapat e nevojshëm në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar situatën nga ana fiskale si dhe për të mundësuar bashkëpunimin me sistemin bankar.
Në vijim u dakortësua për zhvillimin e një takimi të përbashkët me këto shoqata dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për të vlerësuar situatën dhe për të parë mundësitë e mbështetjes së mëtejshme.
Top Channel