Fiks Fare denoncoi veprimet e ish-Prokurorisë së Pogradecit, e cila ka mbajtur në sirtar plot 22 muaj një dosje pa e ekzekutuar.

Në muajin shkurt 2023, Fiks Fare trajtoi një problematikë në Prokurorinë e Korçës, e cila kishte harruar një dosje në sirtar. Kastriot Islamaj ankohej se Prokuroria e Korçës nuk dërgoi te Shërbimi i Provës në kohë vendimin, çka e pengonte të lëvizte i lirshëm. Prokuroria dhe Shërbimi i Provës pranuan se “faji” ishte i prokurorisë.

Ndërkohë, në redaksinë e Fiks Fare erdhi një tjetër ankesë, sërish për një organ akuze në juglindje të Shqipërisë, në Pogradec. “Përshëndetje, para pak kohësh trajtuat në emisionin tuaj një rast kur një qytetari nga zona e Korçës i ishte zbardhur vendimi i gjykatës diku me një vit vonesë. Edhe unë kam të njëjtën problematikë. Jam dënuar me shërbim prove në janar 2021. Vendimi ka qenë i formës së prerë. Zbardhja e vendimit është bërë në muajin nëntor 2022, dy vite më vonë mbasi vendimi ka marrë formë të prerë” deklaroi për Fiks Fare Kejvi Velo, 27 vjeç.

Fiks Fare ka siguruar praktikën e Kejvi Velos. Në datën 11 janar 2021, Gjykata e Pogradecit e ka dënuar me 4 vite me kusht. Në një nga pikat e dispozitivit, shkruhet se “duhet të dërgohet dhe ekzekutohet nga e nesërmja e shpalljes së vendimit”. Vendimi mori formë të prerë në datën 27 janar 2021. Por jo vetëm që nuk shkoi te Shërbimi i Provës, por ai iu dërgua këtij shërbimi pas plot 22 muajsh. Shërbimi filloi veprimet pas kësaj date çka e detyron që Kejvi të paraqitet në këtë Shërbim deri në nëntor 2026, kur duhet ti përfundonte në janar 2025!

Gjykata, Shërbimi i Provës dhe Prokuroria e Pogradecit janë në një distancë prej vetëm 15 metrash larg njëra tjetrës. Vetëm një korrier i thjeshtë mund të merrte vendimin e gjykatës, ta çonte në prokurori dhe prokuroria të nxirrte urdhrin e ekzekutimit. Por kjo procedurë zgjati plot 22 muaj.

Fiksi shkoi dhe u interesua te Shërbimi i Provës në Pogradec, ku bisedoi me znj. Suela Llakmani, drejtoreshë e këtij Shërbimi. Ajo thotë se vendimi u dha në janar 2021 dhe si rregull duhet të çohej te Sherbimi nga e nesërmja e shpalljes. Shërbimi i Provës vihet në lëvizje pas urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga prokuroria. Llakmani thotë se ky urdhër shkoi te ajo në nëntor 2022, gati 2 vite më pas. Saktëson se urdhri është me emrin e z. Neritan Hoxhës, drejtues i kësaj prokurorie. Janë edhe shkresat dhe menjëherë u vu në lëvizje dhe njoftoi të dënuarin. Llakmani thotë se kushti përfundon në vitin 2026 kur duhet të përfundonte në janar 2025.

Pas kësaj përgjigje, Fiksi shkoi edhe në ish-Prokurorinë e Pogradecit, e cila tashmë është mbyllur dhe dosjet do të kalojnë në Prokurorinë e Korçës. Gazetarët kërkuan prokurorin Neritan Hoxha, i cili njëherësh ka qenë edhe drejtues i kësaj akuze. Punonjësit deklaruan se prokurori ndodhej në gjykatë, teksa Fiksi bëri edhe një kërkesë për informacion pranë kësaj prokurorie. Pas disa ditësh, prokurori Neritan Hoxha deklaroi se faji që dosja është mbajtur 22 muaj në atë akuzë është e ish-prokurorit Shkëlqim Kokona, i cili është shkarkuar nga Vetingu.

“Në janar 2021, Gjykata e Pogradecit e ka deklaruar fajtor dhe prokurori i çështjes ka qenë Shkëlqim Kokona. Nga verifikimet e kryera rezultoi se vendimi kishte marrë formë të prerë në datë 27 janar 2021, por nga prokurori i çështjes nuk ishte nxjerrë urdheri i ekzekutimit, as për dënimin me kusht dhe as për pjesët e tjera të vendimit. Në këto kushte, nga drejtuesi i prokurorisë është nxjerrë urdhri i ekekutimit në 3 nëntor 2022. Ju bëjmë me dije se nga Prokurori Shkëlqim Kokona në mënyrë të vazhdueshme ka pasur problem në lidhje me mos nxjerrjen e urdhërave të ekzekutimit prej tij, problematikë e cila i është referuar edhe ILD-së” thuhet në këtë përgjigje. Më tej sqarohet se këto kanë qenë nje nga arsyet e konstatuara ne procedimin disiplinor ndaj këtij Prokurori. “Me vendimin Nr.411 të datës 17 dhjetor 2021, KLP ka vendosur dhënien e masës disiplinore ‘shkarkim nga detyra’ për magjistratin Shkëlqim Kokona” përfundon përgjigjja e prokurorit Neritan Hoxha.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA