Një 53 vjeçar është arrestuar pasi u kap duke vendosur baste sportive në një lokal të Elbasanit, ndërsa administratori dhe pronari i lokalit janë nën hetim.
Policia ka ushtruar kontroll në lokalin që ndodhet në lagjen “Luigj Gurakuqi”, ndërkohë që P. M., po vinte baste.
Administratori i këtij lokali, 36 vjeçari M. M., është në ndjekje penale në gjendje të lirë pasi akuzohet për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Pronari i lokalit akuzohet për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Gjatë kontrollit të ushtruar ka rezultuar se 38 vjeçari fshihet të ardhurat e përfituara nga lokali i tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare. Sipas policisë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet bulevardi”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i kësaj veprimtarie dhe një rast i fshehjes së të ardhurave. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin P. M., 53 vjeç, banues në Elbasan, pasi në një lokal në lagjen “Luigj Gurakuqi”, Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që po vinte baste sportive me celular. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 26 vjeç, administratori i këtij lokali, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. B., 38 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në kuadër të operacionit, ka rezultuar se fshihte të ardhurat e përfituara nga subjekti (lokali) i tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, sipas njoftimit të policisë.
Top Channel