Tirana bie në “Niko Dovana”, Teuta praktikisht e shpëtuar

06/05/2023 20:49

Merr fund ecuria e Tiranës prej pesë fitoresh radhazi në kampionat. Bardheblutë u thyen në “Niko Dovana” me rezultatin 2-1.

Skuadra e Edi Martinit tregoi karakter, duke përmbysur rezultatin, pasi Rimal Haxhiu kaloi në avantazh Tiranën.

Ish-mesfushori i Kukësit kaloi përpara Tiranën me një finalizim perfekt në fillimin e pjesës së dyte, duke goditur bukur në hyrje të zonës dhe duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi Pano Qirkos.

Gjithsesi, Teuta nuk hoqi dorë dhe u kundërpërgjigj brenda pak minutave. Emiljano Vila shfrytëzoi asistin perfekt të Markut nga e djathta dhe me një goditje të menjëhershme mposhti Ilion Likën.

Sfida vijoi të mbetej mjaft e luftuar dhe durrsakët gjetën dhe golin e dytë, që kësaj radhe erdhi nga Lorenco Vila.

Sulmuesi përfitoi nga një largim jo i mirë i topit nga Behiratche dhe me portën e boshatisur nuk gaboi.

Si për të përkeqësuar situatën e bardhebluve, Behiratche u ndëshkua me karton të kuq në minutat përmbyllëse, pas një gjesti antisportiv, që u verifikua në VAR nga Hamiti.

Si rrjedhojë, qendërmbrojtësi do të mungojë në derbi teksa lista e mungesave u shtua për Shehin, teksa dhe Hasani dhe Hila u ndëshkuan me të verdhë, duke plotësuar numrin e kartonëve.

Tirana do te shkojë me drithërima në derbi dhe me vetëm dy pikë diferencë në krye të renditjes, pasi për momentin ka 59 pikë.

Nga ana tjetër, Teuta merr një bonus të madh për qëndrimin larg zonës së ftohtë dhe ngjitet në vendin e 6-të dhe kuotën e 42 pikëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA