Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Pukës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20, në mesnatë, në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz, ku është qëlluar disa herë në ajër nga një 26-vjeçar.
Si rezultat K. P., banues në Tiranë është shpallur në kërkim, së bashku me automjetin që 26-vjeçari ka përdorur, duke qenë në lëvizje.
Por kjo ngjarje ka marrë nuanca politike pasi kandidati socialist Gjon Gjonaj, akuzon kundërshtarin e tij për presione.
“Qëlloi në mesnatë, me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin. Vijin puna intensive për kapjen e 26-vjeçarit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër. Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjtetit nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qenë në lëvizje. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Deklarata e Gjon Gjonajt
Puka pas shumë vitesh, afër mesnatës së kaluar dëgjoj krisma armësh, të cilët u shkrehen në qytet nga ata që të importuar me pagesë nga kandidati pa parti i opozitës tentuan të prishin traditën e Pukës. Pasi kanë kërcënuar mbështetës të Partisë Socialiste duke ju drejtuar dhe armën, në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata lëviznin është qëlluar në ajër.
Por a mund t’ju bëhet presion pukjanëve në shtëpinë e tyre?! Këtë ta harroj Rroku që mendon se mund të marr bashkinë nën presionin e armëve. Ja pra vizioni dhe strategjia përmes të cilës ai kërkon të vi në pushtet. Puka ka shpalosur qytetari, maturi dhe qetësi në çdo situatë, përfshirë këtu dhe fushatat elektorale dhe këtë nuk do mund ta prish Rroku dhe as njerëzit me precedent që ai ka sjell me pagesë në Pukë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të zbardh ngjarjen menjëherë duke shfrytëzuar provat e gjetura pas kësaj ngjarje.
Një lutje të sinqertë bëj për të gjithë mbështetësit tanë që këto ditë të shmangin provokimet e sojit të këtyre që mendojnë se Puka voton nën kërcënimin e armëve të mercenarve, të cilët kanë zbarkuar nga qytete të tjera me qëllim frikësimi. A mund të ndodh kjo?! Kurrë Jo! Edhe ata pukjanë që kanë qenë në atë makinë do e ndjejnë shpejt barren e përgjegjësisë për prishjen e kësaj tradite të bashkëjetesës dhe harmonisë që karakterizon Pukën.
Për të gjithë shqiptarët dua të bëj një sqarim: Nuk është kjo Puka, nuk është ngjarje që ndodh nga pukjanët. Siç e kemi dëshmuar, jemi popull i qetë dhe mikpritës e këtë e tregon dhe fakt se në Pukë ka dhjetëra vite që nuk është shkrehur armë. Ky është kandidati që pretendon të marr drejtimin e bashkisë që bashkë me humbjen me 14 Maj do të marr dhe përgjegjësinë e veprimeve të tilla që prishin imazhin e Pukës në prag të këtij sezoni turistik.
Zoti bekoftë Pukën! Gjon GJONAJ
Top Channel