Pamje kaosi vinin sot nga qendra e Londrës teksa pasagjerët e bllokuar në një vagon në stacionin Clapham Common nisën të thyenin xhamat pasi dyert në stacion nuk u hapën dhe një tym i rëndë mbushte vagonin.
Pamje të publikuara në rrjet shfaqnin panikun në stacionin e metrosë nëntokësore kur dyert nuk u hapën prej bllokimit.
Njerëzit dëgjoheshin që ulërinin në terror teksa të tjerë nga jashtë nisën të thyenin xhamat pasi një “alarm zjarri” u dha pas disa minutave.
Pasagjerët shiheshin gjithashtu duke tentuar të hapin me forcë dyert rrëshkitëse të trenit teksa vagonët mbusheshin me tym nga brenda, shkruan rrjeti vendas The Mirror.
Punonjës të stacionin thyen nga jashtë xhamat plastike të vagonëve teksa tabelat sinjalizuese u thonin njerëzve të evakuonin stacionin.
Pas thyerjes së xhamave pasagjerët shiheshin që dilnin nga dritaret duke u munduar të shpëtonin nga një aksident i mundshëm helmimi.
Një nga pasagjerët e bllokuar brenda tha për The Mirror se vagonët nisën të mbusheshin me tym ndërsa dyert nuk po hapeshin në stacion.
Dëshmitari Jake Sharp tha se njerëzit arritën të shpëtonin vetëm prej disa punonjësve në stacion që kishin me vete mjetet e thyerjes së xhamave.
Ata thonin se situata po kthehej në një “histeri paniku” teksa vagonët mbusheshin me tym dhe drejtuesi i trenit nuk jepte asnjë informacion duke i lënë vend panikut.
Një 32-vjeçar tha: “Treni u mbush me një erë tymi. Rreth pesë vagonë të tij kishin hyrë në tunel dhe pjesa tjetër ishte jashtë në stacion. Më pas një tren tjetër u shkëmbye në drejtim të kundërt kur njerëzit nisën të dalin nga platforma”.
“Falë një punonjësi në platformë që kishte çekicë e mjete të tjera për të thyer xhamat, njerëzit dolën jashtë. Kishte ulërima të pasagjerëve dhe asnjë reagim nga stafi”, shtoi ai.
Para se punonjësit të thyenin dritaret, disa pasagjerë shiheshin të ngjesheshin për të kaluar mes dyerve që ishin hapur vetëm rreth 10 cm.
Jashtë stacionit zjarrfikëset kishin ardhur për të ndihmuar njerëzit.
Një dëshmitar tha se treni ishte nisur në errësirë për disa minuta, kur papritur ndaloi.
“Treni ndaloi papritur me gjysmën e vagonëve në tunel dhe pjesën tjetër në stacion, pastaj dritat u fiken dhe nisën ulërimat e njerëzve. Shoferi foli më pas duke në thënë të ecnim drejt fundit të trenit, ku më pas nisi thyerja e xhamave”.
Hetimet për incidentin vazhdojnë.
Top Channel