Charles III kurorëzohet mbret përmes një ceremonie solemne në Westminster Abbey, e cila mbetet e patjetërsuar prej mijëra vjetësh.
Kurora e Shën Eduardit – një simbol i artë i monarkisë – do të vendoset në kokën e Charles III për vetëm pak minuta, nën thirrjet “Zot, ruaje mbretin”.
Këngët do të dëgjohen nëpër rrugët e Londrës, bashkë me të shtëna armësh dhe fishekzjarre tjera, për të shënuar kurorëzimin e parë të një monarku britanik prej vitit 1953. Charles do të jetë vetëm burri i pestë që kurorëzohet si mbret i Britanisë.
Pas kurorëzimit, ai dhe gruaja e tij Camilla, e cila do të bëhet kështu mbretëreshë, do të kthehen në Pallatin Buckingham, për të parakaluar para turmave të mëdha të njerëzve. 74 vjeçari e merr kurorën pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeta II, në shtator të vitit të kaluar e cila shërbeu si monarke për 7 dekada. Kryeministri britanik, Rishi Sunak, e ka përshkruar ceremoninë e kurorëzimit si “moment krenar të historisë, kulturës dhe traditave tona”. Por jo të gjithë e mendojnë kështu.
Pavarësisht shkëlqimit me të cilin është veshur ky event, polemikat nuk mungojnë. Shumë e kundërshtojnë shpenzimin e miliona paundëve para të taksapaguesve për një ceremoni të tillë luksoze në një kohë kur milionë britanikë vetë vuajnë pasojat e një krize të ashpër të kostos së jetesës.
Sondazhet e kryera në mesin e britanikëve të rinj tregojnë po ashtu se emocionet ndaj mbretërisë janë të zbehura. Ata kërkojnë që mbretëria të modernizohet, apo edhe të mos ekzistojë më fare. Republikanët, të cilët duan një udhëheqës shtetëror, të zgjedhur prej popullit, janë zotuar se do të protestojnë me mbishkrimet “Jo mbreti im”.
Top Channel