Moment historik për shëndetësinë globale, pas tre vitesh merr fund emergjenca e COVID-19

05/05/2023 18:49

Tashmë pas më shumë se tre vitesh mori fund emergjenca e COVID-19, pandemia e cila izoloi botën për një kohë të gjatë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se Covid nuk përfaqëson më një urgjencë globale shëndetësore. Ky vendim përfaqëson një hap të madh drejt përfundimit të pandemisë, pasi në vitin 11 mars të vitit 2020 deklaroi për herë të parë nivelin më të lartë të alarmit mbi virusin, që shkaktoi miliona viktima.

“Me shpresë të madhe e shpall COVID-19 si një emergjencë globale shëndetësore të përfunduar.. Në tre vjet që atëherë Covid-19, e ka kthyer botën tonë përmbys. Pothuajse shtatë milionë vdekje janë raportuar në OBSH. Por ne e dimë se numri është disa herë më i lartë, të paktën 20 milionë”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus- Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

Virusi ka shkaktuar rreth 764 milionë raste globalisht dhe rreth pesë miliardë njerëz kanë marrë të paktën një dozë vaksine.

Në listën e vendeve të prekura hyri edhe Shqipëria ku më 9 mars të vitit 2020 shënoi dy rastet e para të infektuara me COVID-19. Brenda pak ditësh i gjithë vendi hyri në karantinë, ndërsa spitalet u mbushën me të sëmurë.

COVID-19 i mori jetën mbi 3600 personave, ndërsa pozitivë rezultuan gjithsej më shumë se 334 mijë shqiptarë mbi 3 milionë persona në Shqipëri morën më shumë se një dozë nga vaksinat anti-covid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA