Tailandezja e dyshuar për helmimet me cianid, akuzohet për 14 vrasje në total (fotot)

04/05/2023 17:04

Sararat Rangsiwuthaporn akuzohet se ka vrarë një ish-partner, shoqe të saj e madje dhe oficerë policie me të cilët njihej.

Një grua tailandeze e akuzuar se helmonte njerëz me cianid është akuzuar sot për 14 vrasje, ndërsa ish-bashkëshorti përballet me akuza mashtrimi, njoftonte policia për një prej rasteve më të rënda të vrasësve serialë në vend.

Rangsiwuthaporn u arrestua javës që shkoi pas dyshimeve të ngritura për vdekjen e mikeshës së saj Siriporn Khanwong, me të cilën ajo ishte takuar në një mol buzë lumi më 14 prill, kur  Siriporn humbi ndjenjat papritur dhe vdiq në breg.

Sararat ishte akuzuar në media se ishte larguar shpejt nga vendngjarja në vend që të ndihmonte shoqen e saj, siç tentuan të bëjnë shumë kalimtarë.

Disa nga sendet personale me vlerë të Siriporn përfshi dhe celularë apo para të thata, rezultuan të humbura.

Ndërsa autopsia zbuloi gjurmë cianidi në trupin e viktimës, sipas policisë.

Çështja po pasqyrohet gjerësisht në mediat media, dhe bëri që të tjera familje të denoncojnë për humbjen e papritur të të afërmve të tyre pasi ishin takuar me Sararat.

E akuzuara Sararat i mohon akuzat ndërsa ish-bashkëshorti i saj Witoon Rangsiwuthaporn, oficer policie, thotë se nuk ka dijeni për vrasjet.

Mes viktimave të Sararat përfshihen shoqe të saj, një ish-partner dhe disa oficerë policie që njiheshin me të, shkruan rrjeti vendas PBS.

Një tjetër grua që u helmua nga e akuzuara por që arriti të shpëtonte, thotë se Sararat e kishte dëgjuar të kollitej dhe i kishte dhënë një “mjekim” kur dyshja ishin bashke në një qendër tregtare.

Kreu i policisë Surachate Hakparn, tha se vrasjet ishin të motivuara financiarisht. “Ajo i kërkonte para njerëzve që njihte pasi kishte borxhe në llogaritë bankare … dhe kur ata i kërkonin të kthente paratë e marra, ajo i vriste”, tha ai.

Ai shtoi se dy të akuzuarit ishin të divorcuar por jetonin së bashku.

Policia i ka bërë thirrje personave me shqetësime për çështjen të kontaktojnë teksa Sararat përballet me 14 akuza vrasjeje me paramendim dhe një tentativë vrasjeje. Policia tha se po heton tre raste të tjera krimi të mundshëm.

FOTO GALERI
1/3
Një grua tailandeze e akuzuar se helmonte njerëz me cianid është akuzuar sot për 14 vrasje

Top Channel