Sulmi në Capitol Hill/ Shpallet fajtor për konspiracion kreu i grupit “Proud Boys”

04/05/2023 21:08

Ish-drejtuesi i “Proud Boys”, Enrique Tarrio, dhe tre anëtarë të këtij grupi të ekstremit të djathtë, u dënuan të enjten për komplot për të sulmuar Capitol-in e Shteteve të Bashkuara, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur në pushtet ish-Presidentin republikan Donald Trump, i cili humbi zgjedhjet e vitit 2020.

Një juri gjyqësore në Uashington e shpalli Tarrion fajtor për konspiracion për kryengritje, pasi dëgjoi dhjetëra dëshmitarë për mbi tre muaj, në një prej çështjeve më serioze gjyqësore të ngritura lidhur me sulmin tronditës të 6 janarit, që u transmetua drejtpërdrejtë në të gjithë botën.

Kjo është një arritje domethënëse për Departamentin e Drejtësisë, që ka siguruar tashmë dënime për konspiracion për rebelim ndaj drejtuesve të grupe kryesore ekstremiste që prokurorët thonë se ishin të vendosur që ta mbanin jashtë Shtëpisë së Bardhë me çdo çmim Presidentin demokrat Joe Biden. Akuza shoqërohet me një dënim me burg deri në 20 vjet.

Tarrio, i cili mbahet në paraburgim që nga arrestimi i tij në mars të vitit 2022, nuk shfaqi ndonjë emocion kur po lexohej verdikti. Ai përqafoi një nga avokatët e tij dhe shtrëngoi duart me një tjetër, përpara se të largohej nga salla e gjyqit. Disa prej njerëzve që ishin ulur mes të afërmve të të akuzuarve fshinë lotët kur po lexohej vendimi.

Ky zhvillim vjen pas një procesi gjyqësor që mori mbi dyfishin e kohës që pritej fillimisht, i ngadalësuar nga mocione dhe zbulime të informatorëve të qeverisë brenda grupit. Arritja e dënimit për Tarrion, një udhëheqës i profilit të lartë, i cili nuk mori vetë pjesë në sulm, mund ta inkurajojë Departamentin e Drejtësisë ndërkohë që një prokuror i posaçëm po heton ish-Presidentin Trump, përfshirë dhe aspekte kyçe të rebelimit të 6 janarit.

Prokurori i posaçëm Jack Smith ka marrë javët e fundit dëshmi nga shumë persona pranë ish-presidentit. Ndër ta është ish-Nënpresidenti Mike Pence, i cili dëshmoi përpara një jurie të madhe javën e kaluar, me të gjitha gjasat duke u dhënë kështu prokurorëve një rrëfim në vetë të parë për disa biseda dhe ngjarje në javët përpara sulmit.

Tarrio ishte një objektiv kryesor i hetimit tashmë historikisht më të madh të Departamentit amerikan të Drejtësisë. Ai udhëhiqte këtë grup neo-fashist – i njohur për përplasjet në rrugë me aktivistët e majtë – kur ish-Presidenti Trump iu drejtua grupit “Proud Boys” gjatë debatit të parë me Biden, duke u thënë që “të tërhiqeshin dhe të prisnin”.

Tarrio nuk ishte në Uashington më 6 janar, sepse ai ishte arrestuar dy ditë më parë në një rast tjetër dhe ishte urdhëruar të dilte nga kryeqyteti. Por prokurorët thanë se ai organizoi dhe drejtoi sulmin e anëtarëve të “Proud Boys” që sulmuan Capitoli Hill atë ditë.

Përveç Tarrio, banor i Majamit, tre anëtarë të tjerë të grupit u dënuan për komplot rebelimi: Ethan Nordean, Joseph Biggs dhe Zachary Rehl.

Juristët nuk kanë arritur ende një vendim unanim mbi akuzën e rebelimit për të pandehurin e pestë: Dominic Pezzola, një anëtar i ri i cili nuk kishte folur me të pandehurit e tjerë deri pasi u ngritën akuzat. Pezzola, megjithatë, u dënua për akuza të tjera të rënda.

Tarrio, Nordean, Biggs dhe Rehl u dënuan gjithashtu për pengim të çertifikimit nga Kongresit të fitores në zgjedhje të Biden dhe për pengim të zbatimit të ligjit, si dhe për dy akuza të tjera për konspiracion. Atyre iu rrëzua një akuzë për sulm që ishte ngritur për shkak se Pezzola vodhi mburojën e një oficeri të policisë.

Gjykatësi u tha anëtarëve të jurisë që të vazhdonin të diskutonin për disa akuza të mbetura për të cilat nuk kanë arritur marrëveshje.

Avokatja e Rehl, Carmen Hernandez, tha se klienti i saj “vazhdon të deklarojë se është i pafajshëm”. Avokatët e të akuzuarve Biggs dhe Pezzola nuk pranuan të komentojnë. Një avokat për Tarrio nuk pranoi të komentojë.

Prokurorët u thanë juristëve se grupi e konsideronte veten si “ushtria e Trump-it” dhe ishin të përgatitur për “luftë gjithëpërfshirëse” për t’ia ndaluar Biden të bëhej president.

Grupi “Proud Boys” ishin “të rreshtuar pas Donald Trump-it dhe të gatshëm të ushtronin dhunë në emër të tij”, tha prokurori Conor Mulroe në fjalën e tij përmbyllëse.

Thelbi i dosjes së prokurorisë ishin qindra mesazhe të shkëmbyera nga “Proud Boys” në ditët përpara 6 janarit, të cilat tregojnë grupin e ekstremit të djathtë që shpërndante pretendimet e rreme të Trump për manipulim të zgjedhjeve dhe ngjallte frikë për atë se çfarë do të ndodhte kur Biden të merrte detyrën.

Ndërsa “Proud Boys” hynin në Capitol, Tarrio brohoriste për ta nga larg, duke shkruar në rrjetet sociale: “Bëni atë që duhet bërë”. Në një bisedë në grup të kriptuar të “Proud Boys” më vonë atë ditë, dikush pyeti se çfarë duhet të bënin më pas. Tarrio u përgjigj: “Bëjeni përsëri”.

“Mos kini dyshim”, shkruajti Tarrio në një mesazh tjetër. “Ne e bëmë këtë”.

Avokatët mbrojtës mohuan se kishte patur komplot për të sulmuar Capitol-in ose për të ndaluar çertifikimin e fitores së Biden nga Kongresi. Një avokat i Tarrio u përpoq t’ia hidhte fajin ish-Presidentit Trump, duke argumentuar se ish-presidenti nxiti sulmin e turmës pro-Trump kur ai u kërkoi njerëzve të grumbulluar pranë Shtëpisë së Bardhë të “luftonin si dreqi”.

“Ishin fjalët e Donald Trump-it. Ishte motivimi i tij. Ishte zemërimi i tij që shkaktoi atë që ndodhi më 6 janar në qytetin tuaj të bukur dhe të mahnitshëm”, tha avokati Nayib Hassan në apelin e tij të fundit drejtuar jurisë. “Nuk ishte Enrique Tarrio. Ata duan të përdorin Enrique Tarrion si një kokë turku për Donald J. Trump-in dhe personat në pushtet”.

Departamenti i Drejtësisë nuk kishte ndërtuar një dosje për konspiracion rebelimi prej një dekade, përpara se një juri tjetër të dënonte vitin e kaluar një tjetër udhëheqës të një grupi ekstremist, themeluesin e “Oath Keepers”, Stewart Rhodes, me këtë vepër penale të periudhës së Luftës Civile.

Gjatë dy gjyqeve të grupit “Oath Keepers”, Rhodes dhe pesë anëtarë të tjerë u dënuan për komplot për rebelim për atë që prokurorët thanë se ishte një komplot i veçantë për të ndaluar me forcë transferimin e pushtetit presidencial nga Trump tek Biden. Tre të pandehur u liruan nga akuza për rebelim, por u dënuan për pengim të cShaertifikimit nga Kongresi të fitores elektorale të Biden.

Departamenti i Drejtësisë ende nuk ka bërë të ditur se sa dënim me burg do të kërkojë për anëtarët e grupit “Oath Keepers” më vonë këtë muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA