Mbreti Karl i III: Nga lëkurat e luanit, te karriget e shenjta dhe ritualet e kurorëzimit nga e gjithë bota

04/05/2023 20:13

Më 6 maj, e gjithë bota do të shikojë kurorëzimin e mbretit Karl i III-të gjatë një ceremonie të rrënjosur në traditat shekullore. Por monarkitë e tjera në të gjithë planetin kanë detaje të ngjashme specifike të kurorëzimit.

Nga kurorat e lëkurës së viçit deri te fronet kaq të shenjta, ku askush nuk lejohet të ulet mbi to, më poshtë do t’iu tregojmë se si disa nga monarkitë e mbetura në botë kremtojnë kurorëzimin e mbretërve dhe mbretëreshave të tyre.

“Monarkia bazohet në ritual dhe ceremoni,” thotë Dr. Elena Wudeker, një pedagoge në historinë e Rilindjes në Universitetin e Winchester.

“Ju keni elementë shumë të ngjashëm në kurorëzime të ndryshme,” shpjegon ajo, “ka gjithmonë një lloj themelimi ose kurorëzimi. Zakonisht keni regalia, veshje rituale dhe elemente të shenjta si vajosja”.

“Këto elementë janë të rëndësishëm për forcimin e rolit të sundimtarit, por edhe për forcimin e marrëdhënieve midis monarkut dhe nënshtetasve të tij”, shton ajo.

Ujë i shenjtë

Mbreti Karl i III- të do të vajoset duke përdorur vaj të shenjtë të bërë sipas një recete sekrete.

Kryepeshkopi i Canterbury vajos kokën, gjoksin dhe duart e mbretit në një ritual që konsiderohet pjesa më e shenjtë e ceremonisë, duke theksuar statusin shpirtëror të sundimtarit, i cili është edhe kreu i Kishës së Anglisë.

Në Tajlandë, një pjesë e ngjashme e ceremonisë së kurorëzimit përfshin ujin që derdhet mbi monarkun e ri për ta “pastruar” dhe vajosur atë.

Uji mblidhet nga më shumë se 100 burime në të gjithë vendin midis orës 11:52 dhe 12:38 me orën lokale, një periudhë e veçantë në astrologjinë tajlandeze, dhe më pas shenjtërohet në ceremonitë budiste.

Në foto: Vajiralongkorn, i cili derdhi ujë të shenjtë mbi veten e tij gjatë kurorëzimit të tij në 2019

Fronet shumë të shenjta për t’u ulur

Mbreti Karl do të ulet në karrigen e lashtë të kurorëzimit për pjesën më të madhe të shërbimit.

E bërë nga lisi dhe mbi 700 vjet e vjetër, ajo është pjesa më e vjetër e mobiljeve në Mbretërinë e Bashkuar ende në përdorim për qëllimin e saj origjinal. Karrigia u bë për të përmbajtur Gurin e Fatit, një simbol historik i përdorur për inaugurimin e mbretërve skocezë.

Asentehene është kreu shpirtëror i Mbretërisë Ashanti të themeluar në fund të shekullit të 17-të. Në kulmin e fuqisë së saj, mbretëria mbulonte një zonë më të madhe se Gana e sotme. Objekti më i shenjtë në kulturën e tyre është Karrigia e Artë, e njohur si Sika Dwa Kofi, e cila besohet se përfaqëson “shpirtin” e popullit Ashanti.

Karrigia është aq e shenjtë sa askush nuk lejohet të ulet në të – madje as mbreti – kështu që gjatë kurorëzimit asanteheni i ri ngrihet dhe ulet mbi karrige duke mos e prekur atë. Megjithatë, në vitin 1900, Guvernatori britanik i Bregut të Artë, Sir Frederick Hodgson, kërkoi të ulej në Karrigen e Artë dhe urdhëroi ushtarët ta mbërthenin atë.

Kërkesa e tij shkaktoi një revoltë, e udhëhequr nga nëna mbretëreshë e Ashanti, Ja Asantewa. Ajo u mund përfundimisht dhe Ashanti u aneksua nga britanikët. Monarkia e tyre nuk u rivendos deri në vitin 1935.

Në foto: Asantehene e rajonit Ashanti të Ganës

Tela, perde dhe veshje

Vajosja e monarkut britanik konsiderohet aq e shenjtë dhe sekrete, saqë mbretit i vendoset një tendë mbi kokë për ta fshehur atë të mos shoh atë pjesë të shërbimit. Turma thërrasin gjithashtu: “Zot, ruaje mbretin!”.

Momente të ngjashme ka edhe në kurorëzimin e perandorit japonez.

Gjatë ceremonisë, një perde ngjyrë vjollce u hap përpara pavijonit të njohur si Takamikura për të zbuluar perandorin që qëndronte përpara fronit, me një shpatë dhe xhevahir të lashtë në anën e tij. Ai lexoi shpalljen zyrtare, i veshur me rrobat ngjyrë të verdhë e portokalli, veshje kjo e cila vishet nga perandorët vetëm në raste të veçanta.

Rituali pasohej nga thirrjet: “Banzai!” që do të thotë “Rroftë Perandori”. Mbreti Karl mori pjesë në atë fronëzimin së bashku me qindra personalitete të tjera të huaja.

Në foto: Naruhito shpalli kurorëzimin e tij në vitin 2019

Pupla dhe lëkura e luanit

Monarku britanik vesh rroba të veçanta kurorëzimi. Ndërsa hyn në Westminster Abbey, sundimtari i ardhshëm vesh një mantel të gjatë prej kadifeje të kuqe, të zbukuruara me dantella ari të qëndisura me dorë dhe një gëzof të bardhë të çmuar të quajtur hermelinë.

Në fund vesh një veshje ndryshe.

Në kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1953, ajo veshi një mantel mëndafshi shtatë metra të gjatë, të cilit iu deshën 3500 orë për t’u qëndisur, i kompletuar me emblemat e Britanisë së Madhe dhe Commonwealth në 18 lloje të ndryshme fije ari dhe argjendi.

Mbreti Zulu është një nga tetë monarkët më me ndikim të Afrikës së Jugut dhe gjithashtu vesh rroba të veçanta gjatë kurorëzimit të tij.

Në një ceremoni tradicionale zulu, sundimtari hyn në stanin e shenjtë të bagëtive për të kërkuar ndihmën e paraardhësve dhe vesh lëkurën e një luani që ka kapur për të provuar se është i zgjedhur. Në ceremoninë e kurorëzimit të tij në 2022, Mbreti Misuzulu Ka Zwelitini veshi stampa leopardi dhe pupla, ndërsa mori një certifikatë njohjeje nga presidenti i Afrikës së Jugut.

Një e pesta e popullsisë së Afrikës së Jugut është zulu, kështu që monarkia e tyre mbetet jashtëzakonisht me ndikim

Kurora lëkure viçi

Kurora është një nga elementët më të rëndësishëm të çdo rituali kurorëzimi, një simbol vizual që shënon monarkun si sundimtar.

Në Britaninë e Madhe, Mbreti Karl i III-të do të kurorëzohet me kurorën e Shën Eduardit, e bërë nga një kornizë ari solide e zbukuruar me rubin dhe safir. Është hera e vetme që do të përdoret gjatë mbretërimit të tij.

Në fund të ceremonisë së kurorëzimit, Mbretit do t’i vendoset Kurora Shtetërore Perandorake me peshë 1.06 kilogramë, e cila do të përdoret gjithashtu për raste ceremoniale si hapja e Parlamentit.

Në Lesoto, dy krerë tradicionalë vendosin një fjongo dhe pendë lëkure viçi në kokën e monarkut të ri gjatë kurorëzimit. Ata gjithashtu veshin lëkurë tradicionale të kafshëve dhe një tunikë blu me një krokodil të artë të qëndisur gjatë ceremonisë së këngës dhe vallëzimit.

Kurorëzimi i Letsit të Tretë u bë në stadiumin sportiv të kryeqytetit Maseru. Në të morën pjesë princi i atëhershëm britanik Charles dhe Nelson Mandela, i cili në atë kohë ishte president i Afrikës së Jugut./ Përgatiti në shqip: Top Channel

Në foto: Letsie III nga Lesoto, i cili brohoritet nga turma teksa mori shiritin e kokës gjatë kurorëzimit të tij në 1997

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA