Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i prezantuar të martën në Bruksel  nuk u pranua nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti doli me propozim të tijin, me të cilin nuk po pajtohet opozita.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë që SHBA-ja duhet të dalë me propozim për draftin e statutit të asociacionit.

 “Besoj shumë që tash zgjidhja është te amerikanët dhe BE-ja që vetë të propozojnë një draft që është në përputhje me kushtetutën”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

E nga Partia Demokratike e Kosovës kritikojnë Kurtin për qëndrimin e tij në Bruksel, duke thënë që tashmë ai ka pranuar draftin e propozuar nga ekipi menaxhues.

 “Dijen e vetme funksionale që e ka dëshmu deri tash është se si të vijë në pushtet dhe metodat si ta mbajë. Shembulli kryesor është dje që e pranoi propozimin e një grupi menaxhues fantom”, tha Enver Haradinaj, nënkryetar i PDK-së.

Opozita po ashtu ka shtuar se shkarkimi i ekipit menaxhues është i vonshëm në këtë fazë, pasi ata e kryen punën e tyre, duke ofruar një draft mbi të cilin do të vazhdojnë negociatat.

Në anën tjetër, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka mirëpritur lirimin nga detyra të ekipit menaxhues që në përbërje kishte edhe deputeten e Kuvendit të Serbisë.

 “Ky ekip menaxhues e prezantoi një draft statut që ishte një Republikë Srpska në Republikën e Kosovës, kjo natyrisht se është e papranueshme për Qeverinë tonë”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka deklaruar se ka propozuar vizionin e tij për vetmenaxhimin e serbëve në Kosovë sipas modeli të Kroacisë, ku thuhet që do të krijohet një strukturë joterritoriale dhe e bazuar në Kushtetutën e Kosovës në nenet që garantojnë të drejtët e minoriteteve e do të ketë linjë të drejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës. Mes tjerash prej propozimit të Kurtit sigurohet edhe financimi nga Kosova e Serbia për këtë strukturë.

Të martën në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kanë miratuar deklaratën e përbashkët për të pagjeturit, që për PDK-në nuk është diçka e re, ndërkohë që AAK e ka mirëpritur zotimin e palëve për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.

Top Channel