Një nënë që kërkonte birin e saj të zhdukur, është vrarë në shtetin meksikan të Guanajuato.
Teresa Magueyal është qëlluar për vdekje nga dy burra në motoçikletë teksa ecte me biçikletë në qytetin e saj të lindjes Celaya.
Zonja Magueyal ishte pjesë e grupit të aktivisteve “Premtim që duhet mbajtur” i krijuar nga të afërm e familjarë, fëmijët e të cilëve janë zhdukur nga krimi në vend.
Gruaja bëhet vullnetarja e gjashtë që humb jetën nga ky grup, që prej vitit 2021.
Zonja Magueyal ishte bashkuar me grupin “Premtim për t’u mbajtur” pasi djali i saj José Luis Apaseo Magueyal, 34 vjeçar, u zhduk tre vjet më parë.
Sipas nënës së tij, Apaseo, i cili jetonte edhe ai në Celaya, ishte parë herën e fundit nga një i afërm teksa shkonte në dyqan për të blerë ushqime për katër fëmijët e tij.
Deri së fundmi nuk kishte asnjë informacion nëse ai është gjallë apo i vdekur.
Zhdukjet e personave janë një fenomen i vrazhdë por i njohur në Meksikë teksa shumë pak raste qëllon që të zbardhen nga autoritetet.
Sipas rrjetit BBC janë më shumë se 100,000 njerëz të humbur në të gjithë vendin teksa të afërmit bashkohen për t’u organizuar në kërkimin e tyre të dëshpëruar.
Disa gërmojnë për mbetje të trupave në zonat ku bandat varrosin ose flakin trupat ose kërkojnë sipas informacioneve që arrijnë të mbledhin.
Por gjithnjë e më shumë nënat që bashkohen në grupe të tilla po kthehen vetë në viktima të krimit.
Magueyal u qëllua për vdekje ditën teksa ecte me biçikletë para një kopshti fëmijësh.
Në nëntor María Vázquez Ramírez, e cila kërkonte për të birin Osmar, u qëllua për vdekje në Abasolo, gjithashtu në shtetin e Guanajuato.
Një muaj më herët u sulmua me armë Esmeralda Gallardo në Puebla, teksa u vra duke pritur në një stacion autobusi.
Zonja Gallardo ishte në kërkim të bijës së saj 22-vjeçare Betzabé, për të cilën trembej se kishte rënë viktimë e trafikut seksual.
Aktivistët thonë se nënat shënjestrohen nga të njëjtat banda kriminale që janë përgjegjëse për zhdukjen e fëmijëve të tyre.
Prokuroria tha se ka hapur hetimet për vrasjen e zonjës Magueyal.
Top Channel