Bayer Leverkusen i këtij sezoni është duke zhvilluar një futboll mjaft tërheqës, por edhe rezultativ teksa skuadra gjermane ka mbërritur deri në gjysmëfinalen e Europa League aty ku e pret përballja me Romën.
Një meritë të padiskutueshme për këtë sezon të “aspirinave” ka edhe trajneri Xabi Alonso.
Spanjolli, pavarësisht se është në eksperiencën e tij të parë të rëndësishme si trajner, ja ka dalë të përcjellë frymën e duhur në skuadër duke ndryshuar mentalitetin te Leverkusen. Performanca e 41-vjeçarit nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga top klubet europiane që tashmë kanë nisur të mendojnë seriozisht për t’i besuar drejtimin e skuadrës.
Tottenham është një nga klubet që interesohet për Alonson, ndërsa së fundmi ka dalë në skenë edhe Real Madrid. “Los Blancos” pritet të ndajnë rrugët me Carlo Ancelottin në fundin e këtij sezoni me italianin që duket i destinuar për t’u bashkuar me kombëtaren e Brazilit. Ndaj, Alonso është një opsion me presidentin Florentino Perez që beson se ai mund të jetë një “Zidane” i ri.
Xabi Alonso e njeh mjaft mirë ambientin e Realit pasi ka shërbyer te “galaktikët” si futbollist madje duke lënë “gjurmë” pasi në pesë vite (2009-2014) ndihmoi madrilenët të fitonin Champions League, titullin e LaLiga, Superkupën e Spanjës si dhe Kupën e Mbretit.
Top Channel