“Do të vras mbretin!”, momenti i arrestimit i të dyshuarit jashtë Pallatit Buckingham

03/05/2023 10:32

Arrestimi i një burri përpara Buckingham Palace bëri menjëherë bujë në mediat britanike.

Policia u vu në lëvizje me urgjencë dhe pas incidentit një shpërthim i kontrolluar u krye në zonë. Personi u prangos nën dyshimin e zotërimit të një arme të ftohtë, ndërsa nuk pati raporte për të lënduar. Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, burri i është afruar forcave të rendit e ka kërkuar të takojë një ushtar.

Kur iu tha se nuk është e mundur, atëherë ka lëshuar disa karikatorë drejt kangjellave. Pas kontrolleve në trup nuk iu gjet armë zjarri, por një thikë. The Sun shkruan se i dyshuari ka qëndruar pranë pallatit këto netët e fundit dhe është dëgjuar të thërriste: Unë do të vras mbretin.

Incidenti vjen në një kohë kur zërat kundër monarkisë në Britani, janë shtuar. Javën që vjen Mbreti Charles III merr kurorën, në një ceremoni luksoze dhe madhështore. Në këtë ditë, lëvizja kryesore kundër monarkisë në Britani, do të mblidhet pranë statujës së monarkut të fundit britanik, të rrëzuar për një republikë jetëshkurtër në shekullin e 17-të.

Grupi “Mbështetësit e Republikës”, i themeluar në vitin 1983, planifikon të realizojë protestën e tij më të madhe ndonjëherë. Pjesëtarët e grupit “Mbështetësit e Republikës”, e shohin ceremoninë e kurorëzimit të mbretit të ri në kishën Westminister Abey të Londrës, si një mundësi për të ekspozuar atë që ata e konsiderojnë si një institucion të vjetërsuar dhe të pa vend, në një demokraci të shekullit 21-të, veçanërisht në një kohë kur njerëzit po përballen me krizën më të rëndë ekonomike në dekada.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA