Barcelona është një fitore larg fitimit të titullit kampion për herë të 27-të.
Skuadra e Xavit mposhti jo pa vuajtje Osasunën 1-0 (Jordi Alba) dhe tani kryeson La Liga-n me 14 pikë më shumë se Reali i vendit të dytë.
Tifozët katalanas po përgatiten për festën e madhe, ndërkohë që Sergio Busquets e ka marrë një vendim për të ardhmen. Kapiteni, pjesë e ekipit të parë të Barçës prej vitit 2008, ndodhet në vitin e fundit të kontratës.
“Kam vendosur pak a shumë se cila do të jetë e ardhmja ime. Tani kemi disa ditë pushim. Kur të kthehem do t’ua bëj të ditur vendimin tim edhe trajnerit e drejtuesve”, tha kapiteni.
Xavi e ka shprehur publikisht dëshirën e tij që Busquets të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm në “Camp Nou”. Pasi beson shumë tek eksperienca e 34-vjeçarit.
Mesfushori ka marrë oferta të ndryshme, sidomos nga MLS. Inter Miami dhe Toronto po bisedojnë prej kohësh për ta transferuar në futbollin amerikan.
Por, mundësia e rikthimit të Leo Messit te Barcelona, një mik i kahershëm i Busquets, mund të jetë faktor në rinovimin e këtij të fundit me kampionët e Spanjës.
Top Channel