Presidenti sirian Bashar al-Assad ngrinte lart sot “mbështetjen ekonomike e politike” që Irani i ka ofruar Sirisë, 12 vjet pas nisjes së luftës civile atje teksa priti presidentin Ebrahim Raisi në Damask
Raisi gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Assad për tejkalimin e sanksioneve dhe arritjen e fitores në luftën e rëndë civile e ndërkombëtare, duke thënë se Teherani është një aleat madhor i Sirisë.
Në konfliktin e Sirisë llogaritet se janë vrarë rreth 500,000 njerëz, janë zhvendosur miliona refugjatë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa është shkatërruar industria dhe infrastruktura.
Megjithse linjat e frontit janë qetësuar vitet e fundit, pjesë të mëdha të territorit mbeten jashtë kontrollit të qeverisë.
“Qeveria e populli i Sirisë kanë kaluar vështirësi të mëdha, por sot mund të themi se ata kanë arritur fitore megjithë kërcënimet e sanksionet e vendosura ndaj tyre”, tha Raisi, sipas agjencisë iraniane IRNA.
Teheran ka dhënë ndihmë ekonomike, politike e ushtarake për Sirinë, duke ndihmuar në ruajtjen e shumicës së territorit që humbi në fillim të konfliktit.
Irani po ndihmon në përpjekjet e rindërtimit teksa të dyja vendet janë objekt i sanksioneve të vendeve perëndimore.
Assad i tha Raisit se lidhjet mes dy vendeve “janë të forta në kohë të vështira, megjithë stuhitë politike dhe të sigurisë që godasin Lindjen e Mesme”, sipas deklaratës.
Delegacione të mëdha iraniane punojnë në ministritë siriane të punëve të jashtme, të mbrojtjes, naftës dhe telekomunikimeve.
Assad e Raisi nënshkruan memorandume bashkëpunimi në fusha të ndryshme, shtonte agjencia SANA.
Top Channel