Rama nga Maliqi: Fokusi te turizmi, një shëtitore do lidhë zonën me pyllin e Fazanëve

02/05/2023 15:30

Edi Rama vijoi fushatën elektorale nwë Maliq, ku realizoi një takim me banorët e zonës, së bashku me Gëzim Topuçin, i cili kandidon sërish si kryetar bashkie.

Kryeministri vuri në dukje ndryshmet në zonë, si ato publike, rindërtimet, apo shërbimet ndaj qytetarëve dhe gjithashtu edhe investimet në turizëm, të cilat kanë sjellë turistë dhe premtojnë rritjen e ekonomisë.

Ai tha se do të vazhdojnë të ndjekin këtë skemë, duke bërë që turistët të mos vijnë vetëm për disa orë por për të qëndruar dhe për të vizituar të gjithë zonën.

“Jam i bindur që këto janë të gjitha të mundshme dhe janë punë që do t’i realizojmë të gjitha me Gëzimin, menjëherë pas 14 majit”, tha Rama.

“Patjetër që sot Maliqi nuk ka të krahasuar me Maliqin që morëm përsipër të ndryshojmë, dhe patjetër pa Gëzimin ky ndryshim do ishte i pamundur. Ajo që vlen të theksohet është se përtej transformimit të infrastrukturës, përtej ndriçimit publik, përtej ndryshimit publik, çerdheve, shkollave të rindërtuara, përtej qendrave shëndetësore të rindërtuara, përtej shërbimit me qytetari nga Bashkia për ju, ka filluar një lëvizje e rëndësishme ekonomike edhe në zonë, jo vetëm e atyre që janë forca e madhe e këtij komuniteti që investojnë në bujqësi por edhe falë një investimi të ri të fundit që po sjell turistë dhe vizitorë në Maliq. Tani është momenti që ne të lidhim këtë pjesë me pyllin e Fazanëve dhe për të lidhur ‘qytetin e peshkut’ me atë mrekullinë tjetër në atë krahun tjetër përmes një shëtitoreje. Turistët jo vetëm të vijnë për disa orë për të për të qëndruar edhe për të vizituar zonën”, tha Rama.

Top Channel