Berisha thirrje Benet Becit për debat publik me Bardhin: Po sillesh si tek përralla e ujkut, me këmbë të lyer me miell

02/05/2023 19:55

Kreu i Rithemelimit Sali Berisha është ndalur këtë të martë në Shkodër, në mbështetje të kyebashkiakut aktual dhe njëherazi kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për qytetin veriperëndimor, Bardh Spahia.

Megjithëse Rama i ka mbyllur derën ftesës për debat mes kandidatëve socialist dhe rivalëve të tyre nga radhët e koalicionit Meta-Berisha, ish-kryeministri ka kërkuar sërish debat publik mes Bardhit dhe Benet Becit.

Gjatë fjalës në takimin elektoral me mbështetësit e Shkodrës, Berisha i bëri thirrje Becit të dalë dhe të japë llogari përballë shkodranëve.

“Karshi  Bardh Spahisë kandidon përfaqësuesi i Edi Ramës. E meriton këtë që po bëni ju, megjithatë kjo është njëra anë, ana tjetër është ftesa ime; Benet hajde këtu bashkë me Bardh Spahinë, dilni para qytetarëve dhe jepni, jepni llogari për çdo gjë. Përgjigjuni të gjitha pyetjeve të qytetarëve të Shkodrës dhe me këtë ti dëshmon se ke ndjenjën e përgjegjësive, përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Shkodrës. Me këtë ti shlyen deri diku një detyrim sepse dy vjet në atë parlament nuk e shqipërove njëherë fjalën Shkodër dhe Shkodran.

Benet vetëm për këtë kam bindjen se gjysma e Becëve nuk do të votojnë ty”- u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, Benet Beci ka bërë gabimin më të madh të jetës që kandidoi për Edi Ramën.

“Benet edhe njëherë të them, ke bërë gabimin e jetës tënde që kandidove për Edi Ramën. Të pashë një ditë këtu në shesh, e kishe vendosur, një ngjyrë tjetër. Naiv je treguar. Por nënat shkodrane dhe nënat shqiptare, përrallën e parë që u tregojnë fëmijëve është përralla e ujkut, me këmbë të lyer me miell.

Por ti nuk del edhe për një arsye tjetër këtu në shesh që është detyrim në çdo vend, qeveritarët duhet të dalin para qytetarëve dhe ti thonë; urdhëro jam këtu për të pyetur çdo gjë, për të dhënë llogari para jush”- tha Berisha.

Top Channel