Prokuroria e Posaçme, SPAK ka përfunduar hetimet dhe kanë dërguar për gjykim Bledar Zenelin, i akuzuar për terrorizëm.
Ai në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për momentin, bënte postime publike në rrjeteve sociale duke shprehur simpati të hapur për sulmet terroriste siç ishin ai i ndodhur më 29 tetor 2020 në Nicë të Francës, sulmi terrorist i ndodhur në Vjenë në 02.11.2020, dhe për të tjera akte terroriste apo veprimeve radikale e ekstremiste.
Këto postime ai i bënte në profilin Elezi Ibrahimi, në Facebook.
Njoftimi i plotë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Antiterrorit), kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim procedimin penal Nr.185/2021, në ngarkim të të pandehurit Bledar Zeneli, i akuzuar për veprat penale të “Nxitjes, thirrjes dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 232/a dhe 25 të Kodit Penal, “Falsifikimi i letërnjoftimit, pasaportave ose i vizave”, e parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal, “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes se armëve të ftohta”, e parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal.
Ky i pandehur, në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për momentin, bënte postime publike nëpërmjet rrjeteve sociale duke shprehur simpati të hapur për sulmet terroriste siç ishin ai i ndodhur në datën 29 Tetor 2020 në Nicë të Francës, sulmi terrorist i ndodhur në Vjenë Austri, në datën 02.11.2020, dhe për të tjera akte terroriste apo veprimeve radikale e ekstremiste. Këto postime i bënte në profilin Elezi Ibrahimi, në Facebook.
Top Channel