Vatikani është i përfshirë në një mision paqeje në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Konfirmimi erdhi nga vetë papa Francesku, i cili shtoi se është gjithashtu i gatshëm të ndihmojë për riatdhesimin e fëmijëve ukrainas të çuar në Rusi ose në tokat e pushtuara nga Moska.
“Ka një mision në zhvillim, por nuk është bëre ende publik. Kur të jetë koha e duhur, do t`ju zbuloj detaje”, u shpreh papa argjentinas përpara gazetareve në avionin që e ktheu mbrapsht pas një vizite tre-ditore në Hungari.
“Unë mendoj se paqja arrihet gjithmonë duke hapur kanale komunikimi. Ju kurrë nuk mund të arrini paqen përmes mbylljes. … Kjo nuk është e lehtë”, u shpreh Ati i Shenjtë.
Kreu i Kishës Katolike shtoi se e ka diskutuar situatën e Ukrainës me kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe me mitropolitin Hilarion, përfaqësues i Kishës Ortodokse Ruse në Budapest.
“Në takime diskutuam për situatën, dhe ju them se të gjithë janë të interesuar për rrugën drejt paqes”, tha Papa. Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Françesku është lutur praktikisht çdo javë për paqen dhe ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të vepruar si ndërmjetës mes Kievit dhe Moskës. Oferta e tij deri më tani ka mbetur pa përgjigje.
86-vjeçari e ka shprehur edhe më parë se dëshiron të vizitojë Kievin, por edhe Moskën në një mision paqeje. Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal u takua me Papën në Vatikan pak kohë më parë dhe pohoi se kishin diskutuar bashkë një formulë paqeje të paraqitur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Shmyhal kërkoi ndihmë edhe për riatdhesimin e fëmijëve. Kyiv vlerëson se rreth 19,500 fëmijë janë dërguar në Rusi ose në Krimenë e pushtuar nga Rusia që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit të kaluar, në ato që i dënon si dëbime të paligjshme.
Top Channel