Ish-presidenti i FSHA-së tregon dënimin e paprecendentë ndaj atletikës shqiptare.
Ngjarjet e fundit në atletikën shqiptare për fat të keq kanë marrë përmasa ndërkombëtare duke u bërë lajm në të gjithë Botën, presidenti i federatës Gjergj Ruli, njëkohësisht edhe trajneri i Izmir Smajlajt u dënua me 5 vite nga aktivitetet e këtij sporti, ndërkohë sekretari i përgjithshëm i FSHA-së Nikolin Dionisi u dënua me 4 vite pezullim, ndërsa vetë sportisti Smajlaj doli i pafajshëm.
Gjithçka nisi me hetimet e Njësisë së Integritetit të Atletikës rreth dy vite më parë në Kampionatin botëror në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, Gjergj Ruli tregon më tepër se çfarë ka ndodhur.
“Unë kisha dy celularë që më thanë se duhet të mi merrnin për të mi klonuar për të parë nëse mund të gjenin prova që lidheshin me dyshimet.”- tha Gjergj Ruli, ish-president Federatës Shqiptare të Atletikës
Në të vërtetë bëhet fjalë për garën e zhvilluar në fund të vitit 2021 ku Izmir Smajlaj vendosi rekordin e kërcimit 8.16 m dhe ku në procesverbalin e dërguar Federatën Botërore shkruhej që gara është zhvilluar me matës ere, gjë që realisht nuk ka ndodhur, për më tepër atyre i është dërguar kjo foto, ku duket një matës ere por jo në ditën e garës dhe për këtë z.Ruli na sqaron.
“Fotografia që kam bërë me celularin tim tregon të vërtetën që matësi i erës është vendosur në të kundërt, domethënë që atleti duhet të nisej nga krahu tjetër sepse nuk dija ta vendosja dhe fotografinë ja kam dërguar zyrës për t’i pyetur nëse e kisha vendosur mirë apo jo.”– tha Gjergj Ruli, ish-president Federatës Shqiptare të Atletikës.
Pavarësisht këtyre deponimeve, fatkeqësisht asgjë nuk u mor për bazë nga gjykata sportive dhe agjentët e Njësisë së Integritetit të Atletikës.
“Neve dyshojmë dhe një ndër pikat është se duke qenë se isha administrator I federatës nuk kam marrë masat ndaj gabimit të sekretarit dhe kjo është e vërtetë. Dyshimi është që unë kam bashkëpunuar me zyrën për të manipuluar atë rezultat. Por në përfundim fitorja më e madhe është që rezultati i Izmirit u njoh, pista u certifikua, Izmiri doli i pafajshëm dhe kjo është për mua fitorja më e madhe.”- tha Gjergj Ruli / ish-president Federatës Shqiptare të Atletikës
Po me ju çfarë ndodhi?
“Unë jam dënuar 5 vjet, ndihem i fyer dhe shumë i zhgënjyer megjithatë jeta vazhdon do mundohem që këtë karrierë kaq të gjatë ta përmbush prapë me suksese.”- tha Gjergj Ruli, ish-president Federatës Shqiptare të Atletikës
Ndërkohë federate shqiptare e atletikës e gjendur në këtë ngërç ka thërritur asamblenë e jashtëzakonshme zgjedhore që do të mbahet më 19 maj.
Top Channel