Forcat turke kanë vrarë liderin e Shtetit Islamik, Abu Hussein al-Qurashi në Siri.
Vetë presidenti Rexhep Tajip Erdogan pohoi se “ky person u eliminua si pjesë e operacionit të Organizatës Kombëtare të Inteligjencës turke në vendin fqinj”. MIT e kishte ndjekur Qurashin për një kohë të gjatë, u shpreh kreu i shtetit turk.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër grupeve terroriste pa asnjë diskriminim”, shtoi ai pa ofruar detaje të mëtejshme. BBC që përcjell lajmin, thotë se nuk ka mundur t`i verifikojë në mënyrë të pavarur të tilla pretendime. Burimet siriane lokale dhe të sigurisë pohojnë se ka pasur një operacion në qytetin verior sirian të Jandaris, i cili është nën kontrollin e grupeve rebele të mbështetura nga Turqia, dhe një nga më të goditurit nga tërmetet e 6 shkurtit.
Një banor i zonës pohoi se ka pasur luftime në periferi të Jandarisit, të cilat kanë zgjatur për rreth një orë përpara se të dëgjohej një shpërthim i madh. Zona më vonë u rrethua nga forca sigurie, të cilat nuk lejuan njerëzit të afroheshin.
ISIS zgjodhi al-Qurashi si lider të tij nëntorin e vitit 2022, pasi udhëheqësi i mëparshëm i grupit u vra në një operacion në Sirinë jugore. Shteti Islamik mori kontrollin e pjesëve të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014 dhe udhëheqësi i tij asokohe, Abu Bakr al-Baghdadi, shpalli një kalifat islamik në territorin ku jetonin miliona njerëz.
Por ISIS humbi kontrollin e territorit pas fushatave nga forcat siriane dhe irakiane të mbështetura nga SHBA, si dhe forcat siriane të mbështetura nga Irani, Rusia dhe paraushtarakë të ndryshëm.
Anëtarët e mbetur të ISIS janë fshehur kryesisht në zonat e largëta të të dy vendeve vitet e fundit, megjithëse konsiderohet se janë ende të aftë të kryejnë sulme të papritura në shkallë të gjerë.
Top Channel