Pas fitores së Inter ndaj Lazios me rezultatin 3-1, qyteti i Napolit ishte bërë gati për festën e titullit.
Të kaltërve i duhej të fitonin në stadiumin Maradona ndaj Salernitanës, por skuadra e Luciano Spalletit zhgënjeu pritshmëritë dhe nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 duke shtyrë përkohësisht festën e tifozëve.
Gjithsesi, entuziazmi i madh i napoletanëve në Maradona nuk mund të kalonte pa u marrë në konsideratë teksa ata e shfaqën të gjithë pasionin e tyre në momentin kur Olivera kaloi Napolin në avantazh.
Në atë moment, të pranishmit në Maradona shpërthyen në festë, një festë të cilën e dëgjoi i gjithë qyteti. Madje, pas sfidës nëpërmjet disa kalkulimeve të Departamentit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës u zbulua se në territorin përreth stadiumit ishte regjistruar një tërmet i shkallës dy.
Tifozët i “shkundën” mirë shkallët e stadiumit në pritje të zyrtarizimit të titullit të parë pas 33-vitesh. Sipas studiuesve një tifoz ka bërë mesatarisht dy kërcime në harkun e vetëm një sekondi duke bërë që në stadiumin Maradona të përjetohej një adrenalinë e vërtetë.
Gjithsesi, në fund festa e madhe mungoi dhe u shty për një tjetër javë pasi Salernitana barazoi dhe “shkatërroi” skenarin e përgatitur nga napoletanët.
Top Channel