Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk u shqetësua aspak nga fakti që u kthye në shënjestrën e shakave në darkën e Korrespondentëve, të organizuar si për vit në Shtëpinë e Bardhë.
Ai qeshi me batutat e Roy Wood Jr., aktor i programit “Daily Show” për moshën e tij të thyer, çka shihet si një arsye kryesore për ngurrimin e pranimit të kandidaturës së tij për një mandat të dytë presidencial ndërsa nga ana e vet nuk kurseu shpotitë për manjatin e medias, Ruper Murdoch.
“Në Francë, protestojnë se nuk duan të punojnë deri në 64 vjeç. Ndërkohë, ne në Amerikë kemi një 80-vjeçar që na lutet të punojë edhe katër vjet të tjera”, u shpreh Roy Wood Jr.
“Ju mendoni se nuk e pëlqej Rupert Murdoch, por kjo nuk është aspak e vërtete. Si mundet të mos e kem qejf një njeri si ai që më bën të dukem si Harry Styles”, u shpreh Biden.
Elitat politike dhe të medias ishin mbledhur në Washington për eventin që tradicionalisht përfshin batutat e shaka, por edhe tone serioze për gjendjen e gazetarëve nëpër botë.
“Sonte mesazhi që i dërgojmë vendit dhe botës është se shtypi i lirë është shtylla kryesore e një shoqërie të lirë, jo armiku i saj”, tha presidenti Biden në fjalimin e tij. Presidenti dhe zonja e parë Jill Biden, me të mbërritur në vendin ku mbahej darka të shtunën, u takuan privatisht me prindërit e gazetarit të gazetës “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili është i burgosur në Rusi që nga marsi.
Gershkovich akuzohet për spiunazh, pavarësisht se kjo akuzë është mohuar nga ai, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane. Biden pjesën më të madhe të fjalimit të tij e përqendroi tek çështja e lirisë së shtypit ndërsa ai thumboi disa kritikë të tij politikë më të zëshëm si lideri republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, të cilin e shenjëstroi për një projektligj që republikanët e miratuan së fundmi, i cili do të rriste tavanin e borxhit kombëtar në këmbim të një sërë shkurtimesh buxhetore që prekin edhe disa prej arritjeve kryesore legjislative të administratës aktuale.
Top Channel