Një tjetër bankë në SHBA është në prag kolapsi dhe sërish, një prej institucioneve më të rëndësishme bankare ndërhyn për shpëtim, në një skenar të ngjashëm me atë të Credit Suisse në Zvicër.
Pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga rregullatorët, JP Morgan ka vendosur të marrë përsipër bankën amerikane të zhytur në telashe të mëdha, First Republic. First Republic është banka e tretë amerikane që shkon në buzë të falimentit, muajt e fundit, duke mbjelle frikën e një krize më të gjerë të sektorit.
Aksionet e huadhënësit me bazë në San Francisko ranë mbi më shumë se 75% javën e kaluar pasi drejtues të tij pranuan hapur se klientët e tyre kishin tërhequr 1 miliardë dollarë depozita në muajin mars.
Problemet e First Republic pasojnë kolapsin e Silicon Valley Bank (SVB) në mars dhe shembjen e huadhënësit tjetër amerikan, Signature Bank. Në përpjekje për të dalë me një paketë shpëtimi për First Republic, zyrtarët amerikanë kishin kontaktuar 6 banka.
Jamie Dimon, shefi ekzekutiv i JP Morgan Chase rrëfeu se qeveria e kishte “ftuar” gjigantin bankar, së bashku me të tjerë, të “zgjeroheshin”, dhe ne tha ai, ashtu bëmë.
JP Morgan nga First Republic do të marrë 173 miliardë dollarë kredi, rreth 30 miliardë dollarë letra me vlerë dhe 92 miliardë dollarë depozita. Si pjesë e marrëveshjes, Korporata Federale për Sigurimin e Depozitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, FDIC do të ndajë me JP Morgan humbjet nga huat. Vlerësohej se fondi i saj i sigurimeve do të merrte nga marrëveshja një goditje prej rreth 13 miliardë dollarësh.
Top Channel