Xavi bën të lumtur djaloshin mrekullibërës të akademisë, 15-vjeçari thyen rekord me fanellën e Barçës

30/04/2023 11:06

Barcelona iu afrua edhe më shumë rikthimit te titulli në LaLiga teksa katalanasit mposhtën në shtëpi me shifrat 4-0, Betis.

Blaugranat reaguan pas disfatës së fundit ndaj Rayo Vallecanos dhe në Camp Nou dhuruan spektakël për të pranishmit teksa trajneri Xavi Hernandez i bëri një surprizë të bukur edhe djaloshit të rritur në akademinë blaugrana, Lamine Yamal.

Talenti mrekullibërës siç e konsiderojnë në Spanjë u aktivizua në minutën e 83-të duke i marrë vendin Gavit. Në moshën 15-vjeçare, 9 muaj dhe 16 ditë, sulmuesi u shndërrua në lojtarin më të ri që aktivizohet në një ndeshje dhe kompeticion zyrtar për Barcelonën.

Në fakt, Yamal i ishte bashkuar skuadrës së parë më datë 22 prill në ndeshjen ndaj Atletico Madrid, por në atë sfidë nuk u krijua mundësia që Xavi ta hidhte në fushë.

Gjithsesi, momenti për Yamal nuk vonoi duke debutuar në shtëpinë e tij, Camp Nou. Xavi i beson shumë 15-vjeçarit teksa e ka pasur në shumë seanca stërvitore dhe është i bindur se aftësitë e Yamal janë të mjaftueshme edhe për ekipin e parë.

“Në muajin korrik do të mbushë 16-vjeç, ka personalitet, talent i lindur. Është i zoti në pasimin e fundit dhe jam i sigurt se mund të nisë një epokë me Barcelonën. Unë kam folur me Yamal dhe më pëlqen sepse ai nuk i druhet aspak fushës. Nuk njeh frikë. Është i lumtur dhe kaq, në fakt këto brezat e rinj nuk kanë më frikë dhe besojnë te vetvetja. Ka shkëlqyer në stërvitje.

I ngjashëm me Messin apo Ansu Fati? Ka shumë aftësi në 3/4-tërtat e fushës dhe jo të gjithë e kanë këtë aftësi. Mua nuk më duket si një 15-vjeçar i zakonshëm, ngjan më i rritur prej pjekurisë që ka në fushë. Luajti vetëm 10 minuta, por bëri shumë mirë”, përfundoi trajneri Xavi./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA