Edi Rama nisi që nga Malësia e Madhe të bindte shkodranët pse duhet të ndryshojnë drejtimin e bashkisë.
Në Shirokë ai përsëriti nevojën që Shkodra ka për të zgjedhur Benet Becin si kryetarin e ardhshëm.
“Shkodra ka 31 vite pa kryetar bashkie. Kur erdha për herë të parë këtu si kryeministër të lutem bëj Velipojën, Thethin më thanë, ato i bëmë ne që s’kemi marr vota këtu”, tha Rama.
Për Ramën fajtorët pse Shkodra nuk ka ecur përpara janë hijet e së shkuarës. Edhe pse kryesocialisti mendon se qeveria ka bërë më shumë se ata që e drejtojnë prej dekadash kryeqendrën e veriut.
“Për bashkinë Shkodër më mirë të jetë etje blu, sesa t’iu çojë ujin kuçedra që në këtë rast jemi ne komunistët e Tiranës”, tha ai.
Ndaj, kandidatura e Benet Becit ka ndezur shpresën e Ramës për fitoren e bashkisë së Shkodrës, për shkak edhe të bindjeve të tij të dikurshme si ish drejtor demokrat, por që përtej lojës së ngjyrave, ai e vlerëson si kandidatin më apolitik.
“Beneti është kandidati më pangjyrë që mund të gjenim ne. është kali më i mirë për karrocën e Shkodrës, e merreni seriozisht se po ua thotë këtë kryekali i Tiranës”, u shpreh Rama.
Top Channel