“Më mirë të ketë një etje blu, se t’ua sjellim ne kuçedrat e Tiranës”, Rama ironizon opozitën në Shkodër

30/04/2023 17:51

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi një takim me qytetarët e Shkodrës, përpara zgjedhjeve të 14 majit.

Ai deklaroi se qyteti ka probleme me furnizimin me ujë, njëkohësisht edhe me pastërtinë në rrugë.

Kryeministri shtoi se ata që kanë 31 vite që fitojnë zgjedhjet në Shkodër, nuk kanë ditur ta bëjnë shembull,  duke e ngritur në standardet e duhura.

“Ne nuk kemi bërë shumë për Shkodrën, por ne kemi bërë për Shkodrën më shumë sesa ç’kanë bërë ata që drejtojnë Shkodrën. Kur unë kam ardhur si kryeministër në Shkodër në fillim kam dëgjuar “bëni rrugën Shkodër-Velipojë dhe e keni kryer detyrën kryesore”. Rruga Shkodër- Velipojë është bërë, është në bashkinë e Shkodrës dhe e ka bërë qeveria jonë, nuk e ka bërë ajo qeveria tjetër. Rruga për në Theth është bërë, sot shkon me rrugë deri në qendër të Thethit, nuk e ka bërë ajo qeveria tjetër, e ka bërë qeveria jonë. Rrugën Velipojë-Shëngjin apo Shëngjin-Velipojë po e bëjmë ne, por në të treja këto raste, bashkia e Shkodrës na ka nxirë jetën për letra, për shpronësime. Asnjë gjë tjetër nuk kemi nevojë sepse këto janë rrugë për të cilat nuk i marrim leje bashkisë. Aty ku duhet leja e bashkisë, ndodh siç ndodh aktualisht, tani që flasim, me dy projekte të Fondit të Zhvillimit, njëri është projekti i ujësjellësve të Shirokës dhe të Zogajt, financim e ka bërë qeveria, projektin e ka bërë qeveria, gara është bërë nga Fondi i Zhvillimit, kontrata është e lidhur me ndërtuesit, ujësjellësit nuk fillojnë të ndërtohen. E dini pse? Sepse nuk na jep leje ndërtimi bashkia e Shkodrës.

Unë, të paktën mesa jam i informuar, mbase e kam informacionin e pa saktë, mesa jam i informuar, demokratët sado fanatikë të jenë, ujin e pinë pa ngjyrë, kështu e di unë. Nuk kam dëgjuar që demokratët e duan ujin blu ose rrinë pa ujë. Bashkia e Shkodrës i lë pa ujë akoma edhe ata të Shirokës, edhe ata të Zogaj, demokratë e socialistë çfarëdo që janë sepse për bashkinë e Shkodrës më mirë një etje blu sesa të ketë ujë për të gjithë, më mirë të rrinë pa ujë sesa tua çojë ujin kuçedra, që në këtë rast jemi ne komunistët e Tiranës.  Në të gjitha bashkitë e Shqipërisë ne kemi filluar një projekt për eficencën energjetike dhe financojmë në çdo qytet, pallate banimi që vishen me kapot dhe kanë një hidroizolim shumë më të mirë sesa pallatet e zakonshme dhe kjo ul shpenzimin e energjisë, rreth 30% në dimër dhe në verë dhe ul koston e familjeve. Ky është një rast. Janë 5 apo 6 të tjerë si ky që nuk fillojnë dot punën se nuk na jep lejen bashkia.

Shkohet tek Buni Bajraktarit, Malësi të madhe, vazhdohet shkohen në Theth e në Shkodër. A mund të ma thoni, është i njëjti milet, nuk ka asnjë ndryshim, besoj. Pse Boga është e pastër dhe Thethi është pis? Shtëpitë brenda janë të pastra të gjitha, pra nuk janë njerëzit ndryshe, janë të njëjtët njerëz. Të dyja palët jetojnë me mikpritje. Hapin dyert për vizitorë, për turistë, tani pse në Theth sa zbret sheh plehra nga të katër anët dhe në Bogë nuk sheh asnjë copë letër në rrugë. Sepse në Bogë është një kryetar bashkie i joni, në Theth është një kryetar bashkie që nuk ka lidhje fare me kulturën tonë të punës, me kulturën tonë të drejtimit, me kulturën tonë të menaxhimit, me kulturën tonë të marrëdhënieve me qytetarët dhe me këtë nuk dua të them që ne nuk kemi të meta, me këtë nuk dua të them që ne nuk kemi gabime, me këtë nuk dua të them që këtu zyrat qendrore kanë funksionuar perfekt dhe këtu s’ka pasur edhe këtu nga ata xhagajdurët që duhen var për këmbësh.

Nuk po them këtë, por me këtë po them që në 31 vjet, ata që këtu në Shkodër kanë 31 vjet që marrin pushtetin pa kushte nuk e kanë krijuar dot një shembull në një bashki të Shqipërisë se në Shkodër jo e jo, që dinë ta marrin një qytet, një fshat, një zonë nga këtu e ta ngjisin këtu. Nuk e kanë treguar dot. Shkodra është e vetmja bashki në Shqipëri ku kazanët e plehrave mbulohen nga plehrat, nuk ka të tilla në Shqipëri, nuk ka më. Ka pasur shumë. Ne kemi bërë luftë me plehrat dhe ne e kemi pastruar Shqipërinë. Dhe po vazhdojmë ta ngremë nivelin mjedisor të Shqipërisë në një nivel që s’ka qenë kurrë. Në Shkodër është e pamundur. Tani, ka njerëz këtu që mendojnë që nuk ia japim Shkodrën Edi Ramës. Tani kjo nuk ka lidhje me mua. Po ju që keni ardhur këtu se ju që keni ardhur këtu ma jepni po s’mjafton. Unë po flas për ata që e shohin këtë si një luftë politike. E shohin këtë si tifozllëk blu me të kuq, megjithëse ne s’jemi kuq, jemi ngjyrë më e bukur, por ne jemi ajo ngjyra se unë si piktor që jam po ju informoj, del nga përzierja e së kuqes me blunë. Ajo ngjyra jonë violet, mavi siç i thonë këta.

Një gjë do tua bëj të qartë këtyre që thonë: s’ia lëmë ne Edi Ramës. 3 mandate e kemi treguar që ma lini, s’ma lini ju, unë këtu jam, por atyre që thonë Edi Rama nuk e do Shkodrën iu them se ka shumë më tepër gjasë që Shkodrën ta dua unë sesa ata që ju vijnë çift këtu, që s’kanë asnjë lidhje me Shkodrën se unë të paktën një pjesë të gjakut e kam nga Shkodra, e kam nga një gjyshe që më ka rritur dhe gjaku nuk bëhet ujë.

E dyta, unë Shkodrën s’kam si mos ta dua se pa disa kolosë të mendimit e të kulturës në Shkodër unë nuk do isha ky që jam. Dhe e treta, unë skam sesi mos ta dua Shkodrën se unë e di shumë mirë që këtu është një nga forcat e fjetura të ekonomisë shqiptare dhe është forca më e madhe e fjetur akoma. Unë mendoj që nëse e zgjojmë këtë forcë ekonomike që ka Shkodra, këto potenciale që ka Shkodra nuk i bëhet mirë vetëm Shkodrës, i bëhet mirë gjithë ekonomisë shqiptare dhe unë për ekonominë shqiptare jam në këtë detyrë.
Kështu që, këto janë përralla që i hanë ata që duan t’i hanë dhe që s’duan të logjikojnë dhe zakonisht tifozët hanë çdo përrallë. Po edhe stadiumin e Shkodrës unë e bëra për tifozët e Vllaznisë. Dhe e vetmja gjë që duhet të bënte bashkia atje, ishte që të mos ta linte stadiumin e Shkodrës që është me standarde të UEFA dhe të FIFA, i vetmi stadium në botë që ka ofiçinë dhe lavazh te tribuna VIP. Nuk e bën”, tha kryetari i PS-së.

“Shumë faleminderit dhe kijeni parasysh, në zgjedhje vendore shkohet si në pazar për të blerë kalin më të fortë për të tërhequr karrocën dhe kali zgjidhet nga forca që ka për të tërhequr karrocën, nuk zgjidhet ai që po ta shet është komunist apo ai që po ta shet është anti-komunist. “Kalë” më të mirë për ta tërhequr karrocën e Shkodrës se Beneti ju nuk keni për të gjetur. Ah për të mbajtur një kryetar bashkie që thotë treni i Shkodrës po shkon përpara dhe që rri duke bërë çaf-çuf që të tregojë që po lëviz, këta i keni, mbajini, t’i gëzoni, por treni nuk lëviz, karroca ngel në vend. Këtë di t’ju them unë. Dhe kur ua u thotë këtë “kryekali” i Tiranës merreni seriozisht!”, përfundoi Rama.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA